Bushati: “Shqipëria ka bërë progres me reformat, presim vendim të drejtë nga BE”

Politika

Ministri për Evropën Ditmir Bushati theksoi progresin e Shqipërisë gjatë takimit të ministrave të punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s që u mbajt në Bruksel. Ne një intervistë te dhënë për mediat pas takimit shefi i diplomacisë u shpreh se Shqipëria ka avancuar me reformat dhe ne këto kushte meriton hapjen e negociatave.

 

“Shqipëria është në një fazë të re sepse jemi vetëm pak ditë nga publikimi i rekomandimit të qartë të Komisioni Evropian  për fillimin e bisedimeve për anëtarësim dhe siç duhet Ministrat dhe më pas Kryeministrat do të vendosin për rekomandimin e Komisioni Evropian, në këtë kontekst me homologë nga shumë vende anëtare të BE-së kam diskutuar në lidhje me progresin e Shqipërisë dhe me pritshmëritë tona për një vendimmarrje të drejtë dhe të kënaqshme për të dyja palët, pra për një vendimmarrje që përmbush qoftë pritshmëritë tona, për shkak të procesit të reformave të vështira që kemi ndërmarrë dhe që kanë filluar të japin rezultatet e tyre në jetën e përditshme dhe nga ana tjetër një vendimmarrje, e cila kuptohet, akomodon disi vendet anëtare dhe sensibilitete të ndryshme, që ato kanë, për shkak të dinamikës politike brenda vetë këtyre vendeve”.

 

Në këtë takim u trajtuan çështje të rëndësishme të sigurisë, përfshirë edhe temën komplekse të marrëdhënieve me Rusinë. Ministri Bushati konfirmoi sërish qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të politikës së dyerve të hapura dhe perspektivave integruese të vendeve aspirante.

 

“Sot u përqendruam në çështje që kanë të bëjnë me raportet e aleancës me Rusinë, kontributin që ka aleanca për sa i përket zhvillimeve që ka në jugun e saj dhe natyrisht edhe përsa i përket politikës së dyerve të hapura… Po kështu ramë dakord për të fuqizuar prezencën e NATO-s në bashkëpunim me Bashkimin Evropian përsa i përket jugut të NATO-s me operacionet, me programet e ndërtimit të kapaciteteve dhe me mundësinë për të krijuar një dialog. Në lidhje me politikën e dyerve të hapura, Shqipëria nuk diskutohet, është një vend përfitues i drejtpërdrejtë i kësaj politike. Ne vijojmë të mbështesim aspiratën e Kosovës për një marrëdhënie të institucionalizuar me NATO-n”.

Ministrat e jashtëm të vendeve të NATO-s inkurajuan vendet aspirante për të vazhduar angazhimin e tyre në rrugën euro-atlantike si dhe zbatimin e reformave të nevojshme.