Politika naive e Ramës në marredhëniet me SHBA

Kryesore Opinion

Kur, Hillary Clinton, si Sekretare e Shtetit Amerikan mbajti një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë, rikonfirmoi një qëndrim të palëkundur të SHBA-së në mardhëniet me shqiptarët. Deklarata e ish-Sekretares së Shtetit; “Kemi qenë me Ju 100 vitet e shkuara, do të jemi edhe 100 vitet e ardhshme dhe 100 të tjera pas këtyre”, mendoj se do të mbetet në kujtesën tonë kolektive dhe do të hyjë në histrorinë e mardhënieve mes dy vendeve, si një premtim i çmuar i një populli të madh ndaj një populli të vogël.

Sinteza e asaj deklarate na konfirmon një të vërtetë tjetër të madhe. Atë, që mardhëniet e mira shqiptaro-amerikane, nuk janë pronë as e një qeverie e as e një lideri, as në SHBA, aq më pak në Shqipëri. Kjo do të thotë se asnjë politikan nuk mund të pronësojë një miqësi kaq të madhe, dhe asnjë qeveri e lider nuk mund t’a shpërdorojë këtë miqësi. Kjo mbështetje nuk është e lidhur kurrë me asnjë emër dhe asnjë qeveri, por është lidhur me një popull të tërë dhe historinë e tij.

Ecuria e marëdhënieve shqiptaro-amerikane, në periudha të ndryshme historike është luhatur, dhe duhet pranuar se: ndërprerja apo dobësimi i marrëdhenieve shqiptaro-amerikane ka ardhur gjithmonë nga politika shqiptare. Këto marrëdhënie janë prekur nga lojrat politike dhe interestat meskine të politikanëve shqiptarë, të cilët në disa raste kyçe nuk janë ngritur në lartësinë që kërkon mbajtja fort dhe të shenjta të këtyre marredhenieve.

Edi Rama, do të mbahet mend si kryeministri që, për amerikanët Shqipërinë e bëri më pak demokratike. “Krimi i organizuar vazhdon të jetë një shqetësim për shumicën e shqiptarëve, me një rrjet organizatash kriminale të përfshira në trafikim lëndësh narkotike, grabitje, ryshfete, pastrim parash, prostitucion dhe trafik qeniesh njerëzore”, kështu shkruhet në raportin e Byrosë së Sigurisë Diplomatike të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili evidenton gjendjen e rëndë kriminale në Shqipëri edhe në vitin 2018.

Brenda kësaj jave edhe në raportin e fundit të Departamentit të Shtetit në SHBA, theksoheshin një seri problemesh për demokracinë, rendin dhe ligjin në Shqipëri. Kryetari i Zgjidhja-s, Koço Kokëdhima, tha se: “Raporti i fundit i DASH është një nga më kritikët, që është bërë për Shqipërinë në këto 25 vitet e fundit”. Edi Ramës i është ngritur padi nga miku dhe aleati më të madh të popullit shqiptar! Kryeministri i videokonferencave, që shquhet për batutat e tij, po e kupton që së shpejti epoka Trump do mbërrijë edhe këtu. Dhe pse duhet të mbërrijë, ka disa arsye siç janë; Çështja e shkatërrimit te armeve kimike siriane në vitin 2013. Kujtojmë që, pati disa protesta në Tiranë kundër përfshrjes së Shqipërisë në këtë proces, protesta të cilat, u pa qartë se u nxitën indirekt nga qëndrimi Ramës, i cili i mbajti qytetarët në terr informativ, lidhur me të vërtetën e kësaj lëvizjeje diplomatike nga ana e SHBA. Tendencat e shfaqura nga Rama, sa herë ai kritikohet nga Perëndimi që, vendi ynë i vogël të luajë rolin e një nukli politik me marrëdhënie të shumta me Perëndimin e Lindjen janë të kota, ndërkohë që Shqiperia ka si bosht kryesor të politikës së saj të jashtme fuqizimin e marrëdhënieve me SHBA.

Një qëndrim politik tepër naiv ishte ai i Ramës, gjatë fushatës elektorale në SHBA, ku ai pa takt e pa diplomaci, nga ekrani i CNN hodhi bombën “Nëse Donald Trump, do të nominohej si kandidat presidencial, kjo gjë do t’a dëmtonte Amerikën dhe marrëdhëniet e SHBA-Shqipëri viheshin në rrezik. Vota e Shqipërisë kundër vendimit të Presidentit Trump për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit, shënohet si rast i rrallë në historinë e qeverisjeve botërore kur një qeveri voton kundër mikut dhe aleatit më të madh të saj. Në fakt ajo është vota e Edi Ramës dhe jo e qytetarëve më proamerikanë, siç shqiptarët janë.

Arsyetimet dhe justifikimet e qeverisë shqiptare duke sjellë argumenta të diplomacisë të periudhës hoxhiste për të justifikuar votën kundër mbetën qesharake. SHBA mbeti e zhgënjyer nga gjuha e shkujdesure kryeministrit Rama mbi Shqipërinë dhe Kosovën me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Edi Rama nuk bëri asnjë deklaratë në lidhje me vendimin e fundit të Presidentit Trump për sulmin ndaj shkatërrimit të bazave kimike në Siri.

I vetëdijshëm për rrëmujën dhe gafat diplomatike, Edi Rama, bën me faj mediat që shtrembërojnë imagjinatën e tij. Por, gjithëkush tashmë e di se, vendi ynë i vogël ka probleme ku e ku më të mëdha me drogën, krimin dhe korrupsionin, sa hallet e pushtetit të katërt nuk mund të ngrihen në vend të parë.