Kryetari i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, ka raguar pas deklaratave të Presidentit të Greqisë Pavlopulos lidhur me Çamërinë. Pavlopulos i kishte quajtur çamët si bashkëpunëtorë të nazistëve.
Në reagimin e tij, Idrizi shprehet se, “Shqipëria nuk ka një sovranitet të kufizuar nga Republika e Greqisë dhe e ardhmja e saj në strukturat Europiane dhe Euroatlantike nuk varen nga Greqia dhe prandaj deklarata më e fundit, e një cikli deklaratash e Presidentit Grek Pavlopulos, është një monolog krejt i vjetëruar dhe pa vend.”
Më tej ai shkruan: “Zoti Pavlopulos ju thoni se “Çështja Çame është një çështje nderi” për ju, dhe këtu keni të drejtë, ashtu si edhe për ne, Çështja Çame është një çështje Nderi dhe Drejtësie”.
Deklarata e Idrizit:
Shqipëria nuk ka një sovranitet të kufizuar nga Republika e Greqisë dhe e ardhmja e saj në strukturat Europiane dhe Euroatlantike nuk varen nga Greqia dhe prandaj deklarata më e fundit, e një cikli deklaratash e Presidentit Grek Pavlopulos, është një monolog krejt i vjetëruar dhe pa vend.
Zoti Pavlopulos ju thoni se “Çështja Çame është një çështje nderi” për ju, dhe këtu keni të drejtë, ashtu si edhe për ne, Çështja Çame është një çështje Nderi dhe Drejtësie. Sepse jeni treguar krejt hipokritë dhe të pandershëm me popullin grek dhe me popullin shqiptar, në trajtimin e shtrembërur historik të kësaj Çështjeje. Në gjyqin farsë të Janinës, ju nuk provuat dot kurrë se kishte kriminelë lufte nga rradhët e popullsisë Çame dhe me të drejtë nuk kërkuat kurrë se ku janë “fshehur” këta kriminelë që nuk kanë ekzistuar kurrë, por ishin vetëm një shpikje qëllimkeqe e djallëzore me paramendim.
Kurrë nuk treguat një dokument, një foto, një formacion të Shqiptarëve të Çamërise me nazi-fashistët.
Ndërkohë keni harruar me qëllim, simpatitë pronaziste dhe idologjinë fashiste të diktatorit fashist Metaxa, që përshëndeti pushtimin fashist të Shqipërisë nga Italia në vitin 1939. Harroni qëllimisht zotin Joanis Relis, kryeministrin Kuisling, pro fashist dhe nazist, dënuar nga gjykatat Greke si Kolaboracionist, porse kjo nuk e pengoi të birin e tij që në vitin 1980, të vinte në krye të Greqisë si Kryeministër.
Ju harroni qëllimisht zoti Pavlopulos, se në vitet 1944-1945, janë vrarë barbarisht 2771 civilë nga Çamëria dhe më konkretisht: Në fshatin Filat u bë një shfarosje e 1286 personave, burra, gra e fëmijë. Në Igumenicë u vranë 192 persona, në Paramithi dhe rrethina u masakruan 673 qënie njerëzore të pafajshme, ndërsa në Pargë 620 persona të tjerë.
Harroni zoti Pavlopulos që u dogjën dhe u plaçkitën 5800 shtëpi dhe 68 fshatra, në ato kohë të tmerrshme masakrash që nuk mund të përshkruhen.
Nuk ka asnjë të dhënë që Çamët, vranë, dogjën dhe masakruan veten e tyre, por ishin viktima të një genocidi të mirëfilltë dhe mirëorganizuar. Ata që kanë bërë këto masakra si Napolon Zerva, i keni nderuar me monumente dhe mirë keni bërë, se kështu keni përjetësuar krimin dhe turpin e tyre dhe tuajin. Mbas kaq vitesh, vini e na thoni se Çështja Çame është për ju një Çështje nderi dhe drejtësie dhe unë ju ftoj, ta vendosni në vend Nderin dhe Drejtësinë, me kokë lart dhe jo të përmbysur, ashtu si edhe vijoni ta bëni edhe sot.
Por mbi të gjitha, është i tepërt guximi juaj antihistorik, që pa bërë më parë drejtësi dhe një spastrim historik në shtëpinë tuaj, duke rreshtuar fakte dhe provat, që ju nuk i keni ndërsa ne i kemi, që vini e përzieni në mënyrë kaq arrogante në punët e brendëshme të Republikës së Pavarur të Shqipërisë. Po pres reagimin zyrtar të kryeministrit shqiptar dhe të ministrit të jashtëm Bushati, të cilët bëjnë sikur nuk shohin e nuk dëgjojnë, këto deklarata të papranueshme, antihistorike dhe kërcënuese për integrimin europian të Shqipërisë.
Zoti President i Greqisë, mesa duket si pasardhës i atyre që dogjën me Napalm në mes të Athinës partizanët Grek të EAM- it, e që i keni në Parlamentin Grek si nazistët e Agimin të Artë, si Partia e Ekstremit të Djathtë të Pamenosit, ju po vetakuzoheni si i tillë, si pasardhës të atyre që duan të bëjnë masakrën e tretë të Çamërisë. Ne Shqiptarët e Çamërisë nëpermjet dialogut kemi kërkuar drejtësi Europiane në mënyrë që ti vemë “melhem” plagëve midis dy popujve tanë, por po i kujtojmë jo popullit Grek, por pasardhësve të Napolon Zervës që të jenë të kujdesshëm, se plagët janë tonat e drejtesia është çështje kohe.
Sot shqiptarët duhet të mësojnë që vendi me të cilin Qeveria Shqiptare kërkon të firmose Marrëveshjen e Partneritetit Staregjik, nuk njeh Genocidin mbi Shqiptarët e Çamërisë nuk njeh shtetin e Kosovës dhe që mban ende në fuqi Ligjin e Luftës me Shqipërinë. Duhet ta harrojnë një herë e mirë kokat e nxehta të Athinës dhe idiotët e dobishëm të Tiranës se rruga e Shqiperisë drejt BE, kalon nga Greqia.
Rruga jonë drejt familjes se vlerave Europiane, kalon vetëm nga Brukseli, Berlini, Roma, Parisi e Washingtoni!
Burimi : FAXNEWS