Kështu ka reaguar në rrjetin social të Facebook-ut, ish kryeministri Sali Berisha, i cili nuk ka kursyer këtë radhë as kritikat dhe akuzat e rënda ndaj kryeministrit Rama.
Për ty plastë Europa dhe rrofshin Ervis Roshet, Artur Bushet, Mark Frroket, Arben Frroket, Aldo Baret, Kostandinet, Orik Shytet, Arben Ndoket !
Të dashur miq, përsëri Edvin Kristaq Rama, për të mbuluar lidhjet e tij kokë e këmbë me krimin dhe dështimin e tij të plotë me qeverisjen e shtetit policor, kërcënon BE-në, në mediat amerikane për gjakderdhje të mëdha në Ballkan njëlloj si dikur etërit e tij, apo më vonë Millosheviçet, Sheshelet dhe Arkanët e Beogradit. Kurse dje në mediat italiane akuzoi BE se po dështon si motor shpresë, madje “Kasandra Koleka” e paralajmëroi Europën se po rrezikon shpartallimin me themel.
Me këto qendrime dhe deklarata, që i shkojnë përshtat vetëm një të brigand, apo të sëmuri rënd psiqik, Shqipëria ecën drejtë të shkuarës dhe jo drejt BE.
BE ndërtohet mbi vlerat parimet që ti shkele e dhunon çdo ditë.
Bashkimi Europian bazohet mbi ligjet dhe sundimin e ligjit dhe jo të bandave dhe kriminelve me të cilët je i lidhur si mishi me thoin, të llojt Kostandin Xhuvani, Mark e Arben Frroku, Artur Bushi, Aldo Bare, Orik Shyti, Arben Ndoja, Sidrit Dane etj.
Bashkimi Europian bazohet mbi transparencen dhe jo mbi vjedhjet e tua dhe suitës tënde qindra milionshe në tendera, tatime, dogana si në asnjë vend tjetër në Europë dhe në botë.
Bashkimi Europian bazohet në respektin e institucioneve të pavarura dhe jo në etjen tënde të çmendur për pushtet, për të cilën ti do të bësh kreun e shtetit, kreun e policisë, të gjykatave, të prokurorisë, të IlDKP, kryetarin e bashkisë të Shqipërisë , vet Enverin, atin tënd shpirtëror apo Old Mayer-in e Xhorxh Orwellit.
Bashkimi Europian bazohet në respektin e të drejtave të njeriut kurse ti po ndërton shtetin policor në vend të shtetit ligjor dhe ke arrestuar në një vit 38 mijë qytetarë dhe ke plasur në paraburgime, sipas organizateve ndërkombetare, më shumë se Siria dhe Iraku.
Ti me vrasjen e shpresës, rrënimin e vëndeve të punës, shkatërrimin e mbrojtjes së brishte sociale ke larguar nga vendi dhjetëra mijëra qytetarë, për të kerkuar azil politik në vende të tjera, ndonjëherë edhe më shumë se sa Asadi i Sirisë.
Ti kërcënon BE si aventurier brigande dhe i sëmurë psiqik, sepse ti mendon se Europa e Paqes është “Evropa e Dobësisë”, ndërkohë që duhet ta dish o sharlatan se Europa nuk kërcenohet dhe se paqja është forca dhe arma e të gjitha armëve të saj të të gjitha llojeve.
Se fundi, ata që të këshillojnë ty, mendjen tënde të sëmurë, se për të shpëtuar lëkurën tënde, për mbuluar dështimet tua dhe të pushtetit tënd të bazuar mbi krimin, vjedhjen korrupsionin, duhet të lëshosh kërcënime dhe paralajmërime për kataklizma, lumej gjaku, e dështime të BE, pavarësisht nga pashaporta që mbajnë, nuk janë Europa por janë njëlloj si ti hajdutë, hora, prostituta, të korruptuar dhe se bashku me ta jeni llumi i saj!
Sali Berisha