Shqiptarët, azilkërkuesit më të mëdhenj në Gjermani

794

ministri gjerman ne focus-1Ministria e Brendshme në Gjermani thotë se gjatë 7-mujorit të parë nga Shqipëria janë paraqitur 29 mijë e 300 persona që kërkojnë azil. Edhe nga Kosova është e njëjta shifër duke e çuar numrin total të shqiptarëve nga Kosova dhe Shqipëria në 60 mijë, por edhe 27 mijë azilkërkuesit nga Serbia dhe Maqedonia, në shumicë janë shtetas me kombësi shqiptare. Sipas statistikave, shqiptarët në Ballkanin Perëndimor janë azilkërkuesit më të mëdhenj në Gjermani duke tejkaluar shumë në shifra edhe sirianët që ndodhen në luftë civile. Nga Siria janë paraqitur në Gjermani për azil 44 mijë persona, pjesa tjetër janë nga vende me probleme si Eritrea, Afganistani apo Pakistani.

Sipas raportit, gjatë muajit korrik nga hifrat zyrtare gjermane tregojnë se pavarësisht çdolloj fushate apo kërcënimi për refuzim të azilit, shqiptarët vazhdojnë të iknin gjithnjë e më shumë. Sipas raportit, krahasuar me 7-mujorin e parë të vitit 2014, kërkesat për azil nga shqiptarët janë rritur mbi 500 për qind.

Ministri gjerman

Ministri i Brendshëm gjerman, Tomas de Maiziere, ka prezantuar dje shifrat e azilit dhe pritshmëritë për vitin 2015. Ai tha se në Gjermani parashikohet që për këtë vit të paraqiten rreth 800 mijë azilantë, pra katër herë më shumë se vitin e kaluar. Sipas ministrit, parashikohej pritja e rreth 400 mijë emigrantëve, por kohët e fundit ka pasur një shtim të kërkesave për azil, madje edhe nga vendet e Ballkanit. De Maiziere tha se nga muaji qershor deri në muajin korrik janë paraqitur për azil plot 83 mijë persona, ndërsa për muajin gusht shifrat do të jenë edhe më të larta.

Arsyet për këtë valë emigrimi, Ministria e Brendshme gjermane e lidh me ikjen masive të personave në vatrat e luftës, Siri, Irak apo Afganistan. Por, thekson se ka një valë emigrantësh nga Ballkani. De Maiziere thotë se nuk ka shenja të zhvillimit pozitiv në vatrat e luftërave apo edhe në vende shumë të varfra në Lindjen e Mesme, Afrikë apo Afrikë e Veriut. Ministri gjerman thotë se është e nevojshme që Bashkimi Europian të menaxhojë pikat e nxehta ku zbarkojnë këta emigrantë, kryesisht në Greqi dhe Itali. Ai tha se kërkesat për azil janë një sfidë për qeverinë gjermane, ndërsa javët e ardhshme do të ketë stafe të përbashkëta koordinuese nga qeveria dhe rajonet. De Maiziere ishte i qartë kur tha se “Çdo refugjat që vjen në Gjermani duhet të jetë i denjë për vendin dhe i sigurt”.

Më tej shtoi se gjithkush ka të drejtën për një gjykim të drejtë, ndërsa foli edhe për sulmet ndaj azilkërkuesve apo institucioneve të azilit, duke theksuar se ato janë të padenja për Gjermaninë. Ministri foli edhe për përshpejtimin e procedurës së azilin apo edhe shtimin e personaleve apo kapaciteteve për të pritur azilantë. Në fund tha se vala e emigracionit kërkon që të ketë një bashkëpunim nga e gjithë Europa.

Analiza e shifrave

Ministria e Brendshme gjermane ka bërë publike edhe shifrat e azilantëve. Sipas saj, në muajin korrik janë paraqitur 37.531 aplikime, një rritje prej 93.2 për qind krahasuar me korrikun e vitit 2014. Nga këto shifra, mësohet se 14.832 aplikime janë bërë nga shtetasit e Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, që përbëjnë 39.5 për qind e të gjitha kërkesave për azil të paraqitura në Gjermani.

Në lidhje me kërkesat nga Shqipëria, Ministria e Brendshme gjermane thotë se në muajin maj janë paraqitur 4.922 kërkesa nga Shqipëria, në muajin qershor 5.932 kërkesa dhe për muajin korrik 7.633. Shqiptarët janë të dytët pas sirianëve, ndërkohë lënë pas Serbinë dhe Afganistanin. Në total, numri i shqiptarëve që janë paraqitur për azil në Gjermani është 29.857. Ajo që autoritetet gjermane kanë vënë re për shqiptarët është se paraqitja e tyre në Gjermani ka qenë vetëm për azil. Kështu, nga kjo shifër, rreth 500 persona kanë bërë kërkesë të mëvonshme për azil.gjermania ne focus-2

Burimi: Gazeta Shqip