Deputeti i PS, Ulsi Manja duke komentuar qeverinë e besimit, të propozuar nga kreu i LSI, Ilir Meta tha se ajo është një rrugë ekstra kushtetuese. Në studion e lajmeve të “Ora News”, Manja tha se çdo qeveri që nuk del nga vullneti i shumicës së popullit do të thotë që të ndryshohet standardi demokratike në një vend.
Manja tha se PS do të ezaurojë rrugët kushtetuese për të ftuar opozitën në dialog. Ai tha se dy gjera janë të panegocioueshme, shkelja e kushtetutës dhe qeveria teknike.
“Qeveria e besimit”, Manja: Ndryshon standardin demokratik të vendit
Manja: Qeveri besimi, kur dihet që në demokraci qeveria është vullnet i shumicës. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që të shkëpusësh në mënyrë të njëanshme kontratën me shumicën e qytetarëve shqiptarë për të krijuar një qeveri të pakicës. Kjo pastaj do të ndryshonte standardet demokratike në një vend. Pra duke e kthyer nga një vullnet i shumicës në një vullnet të pakicës.
Nëse ne do pranojmë në këtë situatë normale të funksionimit të institucioneve demokratike të shtetit një qeveri të pakicës, i bie që të vendosim një standard he një precedent që nuk na garanton në një të ardhme pas 4 vjetësh se kjo nuk do të ndodhë edhe me opozitën e radhës që do të jetë në Shqipëri. Kjo i bie që të kthehemi nga një republikë demokratike, ku kushtetuta si libri themeltar i shtetit është e detyrueshme për tu zbatuar nga të gjithë në një republikë, ku vendimet e rëndësishme që lidhen me qeverisjen e vendit merren në mënyrë ekstra-politike dhe ekstra-institucionale.
Rruga më e mirë për të garantuar standardin në zgjedhje janë masat institucionale dhe ligjore. Nëse do kishte dialog real dhe kauz të vërtetë që kërkon opozita ne sot si qeveri do ti kishim kërkuar OSBE/ODIHR shtimin e numrit të vëzhgues të huaj në Shqipëri për të monitoruar zgjedhjet në Shqipëri.
Manja: Dialog brenda kushtetutës
Manja: Rama e ka bërë të qartë qëndrimin, jemi gati për dialog brenda kushtetutës së vendit dhe jemi të hapur për çdo lloj propozimi që reflekton rekomandimet e OSBE/ODIHR. Mjafton që palët të ulen në dialog në respekt të kushtetutës së vendit pa kushte, pa parakushte ekstra-kushtetuese ose politike.
Manja: Meta i angazhuar për të sjellë opozitën në zgjedhjet e 18 qershorit
Manja: Zoti Meta bashkëaleati ynë ka ofruar ose është vënë në dispozicion të zgjidhjes së kësaj krize politike jo të vendit, por të opozitës me qëllimin e mirë për ta sjellë opozitën e vendit në zgjedhjet e 18 qershorit. Zgjedhjet pa opozitën do të ishte mungesë alternative për qytetarët shqiptarë, por jo fatalitet.
Kushtetuta shqiptare me ndryshimet e 2008 flet për mocion mosbesimi dhe mocion besimi. Mocionin e mosbesimit e kërkon opozita dhe kushdo tjetër në pakicë kur i ka numrat, 71 mandate emrin e kryeministrit të ri dhe kërkon mocion mosbesimi, kështu thotë kushtetuta.
Pyetje: Është hedhur kjo alternative nga Blushi…
Manja: Nëse është kjo alternativë nga Blushi, kjo është një nga rrugët kushtetuese. Rruga e dytë është mocioni i besimit që e kërkon qeveria. Sigurisht që qeveria nuk ka arsyer për ta kërkuar, tani çdo qeveri tjetër sido që ta ketë emrin jashtë rrugëve të përcaktuara në kushtetutën e vendit do të ishte rrugë ekstra kushtetuese dhe ekstra politike. Shqipëria nuk është në një situatë dhe në një krizë për të pasur qeveri teknike, kujdestare apo besimi.
Manja: Do ezaurojmë rrugët kushtetuese për të ftuar opozitën në dialog
Manja: PS do të ezaurojë të gjitha rrugët kushtetuese për ta ftuar opozitën, brenda afateve kohore që ka përcaktuar kodi zgjedhor per regjistrimin dhe pjesëmarrjen e partive dhe koalicioneve në zgjedhje.
Pyetje: Brenda këtyre 5 ditëve?
Manja: 5 ditë apo 10 ditë nuk e di sa e ka afati sepse regjistrimi i koalicioneve shkon deri në 17 apo 19 prill, por kjo mazhorancë, PS është e preokupuar të ezurojë të gjitha rrugët kushtetuese për ta ftuar opozitën e vendit të bëhet pjesë e dialogut dhe të shkohet në zgjedhjet e datës 18 qershor.
Manja: Shkelja e kushtetues dhe qeveria teknike nuk negociohen
Manja: Dy gjëra janë të panegocioueshme: Shkelja e kushtetutës e cila ka përcaktuar 18 qershorin si datë ku do të votojnë shqiptarët sepse nuk mund të shtyhet kjo datë, sepse kushtetuta ka përcaktuar se mandate i këtij kuvendi zgjatet vetëm në situatë lufte dhe për aq kohë sa vazhdon kjo gjendje. Rast tjetër të shtyrjes së mandatit të kuvendit dhe të shtyrjes së datës së zgjedhjeve kushtetuta jonë nuk lejon. Tjetra është se ne nuk mundemi kurrësesi të pranojmë një qeveri teknike e cila nuk do të na çonte në asnjë vend për të na garantuar shqetësimet që ka opozita. Ekzistojnë të gjitha rrugët që kjo qeveri mund ta çojnë vendit drejt zgjedhjeve të lira.
Manja: Lëvizjet e Metës, në funksion të dialogut
Manja: Zoti Meta është aleati jonë dhe PS bashkë me LSI por edhe parti të tjera në qeverisje kanë detyrimin të ezaurojnë rrugët për të pasur një dialog konstruktiv me opozitën e vendit. Unë qëndrimin e Metës e shoh në funksion të këtij dialogu. Me Metën kemi një bilanc arritjesh, sic kemi edhe një bilanc gjerash që ngelën për tu bërë, në funksion të së cilës janë edhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme.