Qeveria publikoi pak ditë më parë projeksionet e reja në lidhje me ecurinë e borxhit publik për periudhën afatmesme, 2017-2019, të cilat i ka rishikuar me rritje.
Tabela e konfiguruar në buxhetin afatmesëm e publikuar së fundmi në Fletoren Zyrtare tregon se parashikimet e reja e çojnë me rritje borxhin publik me 0.5 deri në 2 pikë përqindje nga viti 2016 në vitin 2019.
Në janar të vitit 2016, Ministria e Financave kishte parashikuar që borxhi publik të arrinte në 70.9% të PBB në fund të vitit 2016, por zhvillimet e mëvonshme kanë bërë që treguesi i borxhit të jetë më i lartë, duke arritur në kuotën e 71.4% të PBB-së.
Për vitin 2017, sipas parashikimeve të fundit, totali i detyrimeve do të arrijë në 69.2%, ndërsa në janar të 2016 ky tregues nuk ishte më i lartë 67.9% e PBB.
Me rritje janë rishikuar edhe treguesit e borxhit për 2018 dhe 2019. Sipas projeksioneve të fundit, borxhi do të arrijë vitin e ardhshëm në 65.7% e PBB, teksa parashikimet e janarit 2018 ishin që ai të arrinte në 63.9% e PBB-së.
Në vitin 2019, parashikimi i fundit pret një borxh sa 61.3% e PBB-së, nga 59.3% që ishin pritjet e janarit 2016.
Për të tretin vit radhazi, qeveria shqiptare rishikon me rritje ecurinë e borxhit publik në krahasim me objektivat që i vuri vetes në vitin e parë të qeverisjes së saj.
Më këtë ecuri, qeveria nuk ka mundur të respektojë as marrëveshjet me institucionet financiare ndërkombëtare, FMN dhe Bankën Botërore, të cilat prisnin që totali i detyrimeve të zbriste në 54% të PBB-së në fund të vitit 2019./Monitor/
Projeksionet mbi ecurine e borxhit publik