“Dialog, vetëm nëse flitet për qeveri teknike, Kavaja prova jonë si opozitë”

Aktualitet

Nga Isuf Kurtaj

U krijua përshtypja se këto do të ishin orët e fundit e ngërçit politik. U fol për emrat e negociatorëve, axhendën, për ministrat që do të drejtonin qeverinë teknike… Për çfarë nuk u aludua, deri në momentin kur mbrëmjen e së enjtes doli kreu demokrat duke sqaruar se shanset që ky takim të realizohet këtë javë janë zero. Edhe pse ai e pranoi se dje ka pasur një përpjekje intensive të partive politike për të ulur palët në tryezë, nga leximi i deklaratave të fundit që lëshoi ai dhe dy personazhet e tjerë që kanë në dorë fatin e “jetëgjatësisë” së krizës politike, duket se gjasat janë minimale, që këtë javë të zhvillohet një takim mes tyre.

Bisedimet

Kreu demokrat e pranoi dje se stafi i tij politik ka bërë përpjekje për nisjen e bisedimeve për uljen në një tryezë. Kreu i Partisë Demokratike, deklaroi se nëse Edi Rama nuk vendos të flasë për qeverinë teknike, nuk do të ketë bisedime mes palëve. Basha tha se nuk ka kuptim të ftosh palën për dialog e cila ka 48 ditë që ka parashtruar kërkesën për qeveri teknike si zgjidhjen e vetme të krizës politike. Ai theksoi se ka një hile dhe ajo është ftesa për të biseduar për qeveri teknike, por në këtë moment është ftesa për të përgatitur takimin që të mos dalin për të bërë shfaqje. Basha tregoi se duhet të përgatiten se si e mendon pala e tyre qeverinë teknike dhe si e mendojnë të djathtët, por edhe për mënyrën se si do të ristrukturohet dialogu për zgjidhjen dhe daljen nga kriza.  Duke parashtruar kërkesat për dialogun, Basha thotë se Rama ka refuzuar të mandatojë stafin. “Takimi që ne kërkojmë është që t’i japë zgjidhje. Stafi im i ka komunikuar stafit të kryeministrit për përgatitjen e një takimi. Për t’i dhënë zgjidhje krizës, e cila është shumë e rëndë. Kontakti ka nisur që në orët e para të mëngjesit, midis stafit tim dhe të kryeministrit Rama. Nuk ka ndërmjetës ndërkombëtar dhe as të tjerë.

Rama ka refuzuar të mandatojë dikë për të përgatitur takimin. Përgatitja e takimit nuk duhet të jetë vetëm për të bërë fotografi dhe buzëqeshur para kamerave. Qeveri teknike me mbështetje të gjerë. Me fokus dekriminalizimin. Luftë ndaj kanabizimit të vendit dhe bllokimit të parave të vjetshme të drogës dhe për përgatitjen e zgjedhjeve të lira”, tha Basha. Ndërkohë ai deklaroi se janë tre kritere që kërkohen për kryeministrin e qeverisë teknike: Integriteti, pastërtia dhe kapaciteti. Ndërsa i pyetur nëse PD-ja do të realizojë një koalicion me LSI-në, Basha theksoi se Ilir Meta i ka shprehur qartë PS-së dëshirën për të qeverisur dhe për të qenë në koalicion me ‘ta. “Me dy partitë e mëdha, jemi të gatshëm të bashkëpunojmë  në funksion të betejës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai tha se nuk jemi gati për llogari politike dhe elektorale, por vetëm gati për një front popullor që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, deklaroi ai.

Më tej, Basha u shpreh se çështja e zgjedhjeve të 18 qershorit për të është çështje standardesh dhe jo kohe. “Në gjykimin tim ka shumë pak kohë për tu përmbushur parametrat që ka shtruar Partia Demokratike. Sa më shumë të rrijë në zyrë Rama aq më shumë do shtyhen zgjedhjet. Në momentin e parë që përmbysen objektivat e ngritur nga PD-ja në lidhje me dekriminalizimin, garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, do ketë zgjedhje”, shprehet ai. Duke komentuar qëndrimet e kreut të LIBRA-s, Ben Blushi, Basha tha se ai është inkonsistent, atë që thotë në mëngjes nuk e thotë në darkë. Ndërsa i pyetur për propozimin e Blushit për mocionin e mosbesimit të qeverisë, Basha iu përgjigj se ka vetëm dy rrugë: dialog dhe përballje e qytetare.