Dorëheqja e Fatmir Xhafajt, Edi Rama emëron ministrin e ri të Brendshëm

366

Ka dhënë dorëheqjen ministri i brendshëm Fatmir Xhafaj. Lajmin e ka konfirmuar kryeministri Edi Rama pak minuta më parë, teksa thotë se Xhafaj ka bërë një punë të çmuar, mirëpo tashmë duhen rezultate më domethënëse.

Ky është nje vendim i papritur brenda radhëve të qeverisë, ndërsa kryeministri Rama ka gjetur dhe pasuesin e tij, do të jetë gjenerali Sandër Llesh, i cili ka një CV të pasur për shërbimet e tij në fushën e mbrojtjes dhe të Forcave të Armatosura.

Reagimi i Ramës: 

Pranova dorëheqjen e ministrit Xhafaj, të cilin e falenderoj për kontributin e çmuar. Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme. Traseja është e shtruar. Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse.

Kush është gjeneral Sandër Lleshi:

Sandër Lleshi Gjeneral Brigade. Mban prej vitit 2010 postin e zv.shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Në periudhën 1996- 2000, gjeneral Lleshi ka qenë komandant i Kurseve në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë dhe më pas, për tre vjet të tjera, ishte komandant i Akademisë Ushtarake “Skënderbej”.

Në vitet 2003-2006 ka shërbyer si atashe i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë në Gjermani. Sa i takon arsimit të tij në fushën ushtarake, ai fillon në periudhën 1978-1985 kur ka kryer shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe Akademinë Ushtarake.

Nga viti 1994 deri në 1999 ka kryer një sërë kursesh, si ai i gjuhës gjermane në Akademinë e Mbrojtjes Kombëtare në Vjenë (Austri); kurs i avancuar i gjuhës gjermane në Institutin Federal të Gjuhëve (Bundessprachenamt) në Gjermani; kurs i komandantit të Batalionit në Shkollën e Artilerisë Kundërajrore në Rendsburg, Gjermani; kurs i Shtabit të Përgjithshëm në Akademinë e Drejtimit në Hamburg, Gjermani dhe kurs i Sigurisë Europiane në Akademinë e Drejtimit në Hamburg, Gjermani. Në 2008-n, gjeneral Lleshi ka përfunduar Seminarin e Lartë Ekzekutiv në Qendrën për Studime të Sigurisë Europiane, George C. Marshall në Garmisch-Partenkirchen, Gjermani; Ndërsa në 2011-ën përfundoi Kursin e Lartë Ndërkombëtar për Menaxhimin e Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, Kalifornia, SHBA./faxweb.