Emigrantët me qëndrim të rregullt të pajisur me leje qëndrimi apo të pajisur me shtetësi të huaj që nuk deklarojnë adresën e banimit nuk do të përfitojnë shërbim nga gjendja civile.
Afati për deklarimin e të gjitha adresave të banesave në pronësi të tyre, duke përcaktuar vendbanimin e tij vendbanimin e tij është deri 6 muaj pas hyrjeve në fuqi të ndryshimeve ligjore. Ndryshimet janë propozuar nga Ministria e Brendshme në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10129, datë 11.5.2009 “Për gjendjen civile”, të ndryshuar”” i publikuar te konsultimet publike.
Në relacion theksohet se ndryshimet rregullojnë procedurat dhe zgjidhin problematikën me deklarimin e rremë të regjistrimeve fillestare të emigrantëve në Shqipëri në kundërshtim me ligjin e vendeve të huaja.
Në fokus të ndryshimeve ligjore do të jetë edhe përmirësimi i një sërë procedurash të tjera të lidhura me gjendjen civile, si dokumentimi i lindjes së fëmijës, (këtu i referohen fëmijëve që lindin të vdekur), si dhe të proceduarve mëtejshme që duhet të ndjekin nëpunësit e gjendjes civile në bashki / njësi administrative gjatë lidhjes së martesës, si dhe për veprimet nga shërbimet konsullore.
Për sa i përket deklarimit të vendbanimit në nenin 4, të projektligjit parashikohet ndryshimi i dispozitës për nenin 14 të ligjit “Deklarimi i vendbanimit”, ku shprehimisht parashikohet detyrimi i shtetasve për deklarimin e adresës së çdo banese që kanë në pronësi brenda ose jashtë vendit, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e ligjit duke zgjedhur ndër to vendbanimin e tij.
Sipas këtij formulimi përcaktohet detyrimi i shtetasve për deklarimin e të gjitha adresave të banesave në pronësi të tyre, për të cilat duhet të përcaktojë vendbanimin e tij.
Sipas pikës 2 të dispozitës së propozuar përcaktohet se shërbimi i gjendjes civile do të ofrohet për shtetasit pasi të respektojnë detyrimin e mësipërm, duke parashikuar si kusht detyrimin për të deklaruar adresën e çdo banese në pronësi të tyre sipas ligjit për adresat.
Regjistrimi fillestar i vendbanimit sipas nenit 5 të projektligjit do të bëhet në zyrën e gjendjes civile të njësisë administrative që ka në juridiksion territorial banesën e deklaruar si vendbanim, duke përcaktuar njëkohësisht se shtetasi nuk mund të deklarojë më shumë se një vendbanim.
“Ky proces, i parashikuar për t’u kontrolluar më mirë i shërben zgjidhjes së problematikave të evidentuara për çështjet e adresave të shtetasve, që në raste të caktuara mund të rezultojnë të pavërteta, duke mos pasqyruar lidhjen reale të individit me territorin ku i ofrohen shërbimet publike, të cilat në vijimësi njoftojnë zyrën e gjendjes civile nëse konstatohet mosplotësim i standardeve dhe deklarim i rremë. Në vijimësi zyrat e gjendjes civile në bashki / njësi administrative vijojnë me refuzimin e kërkesës së shtetasit sipas arsyetimit përkatës”, theksohet në relacion.
Projektligji parashikon se do të jetë ministri që mbulon shërbimin e gjendjes civile për të nxjerrë mënyrën e aplikimit, rregullat për ndryshimin e vendbanimit dhe mënyrën e administrimit të dokumentacionit./ MONITOR