Nga Alfred Fizi /
Më fal se unë kisha ngelur peng i regjimit të vjetër dhe nuk kisha parë me sytë e mendjes një Shqipëri që rilinde ti, pas thuajse çerek shekulli nga përmbysja historike, që unë kujtoja se ishin paraardhësit e tu.
Por unë nuk vazhdoj të besoj tek ajo që lamë pas pasi sot rilindëm e jetojmë nën udheheqjen tënde, pse sot Shqipëria është kaq e pasur, s’ka papunësi, e fuqishme ekonomikisht. Sot Shqipëria është qetësuar, prej krimit që e godiste përditë dhe korrupsionit që e shqyen ngado.
Sot Shqipëtarët jetojnë në një atdhe europian, me shtet të së drejtës për të gjithë dhe me liri të garantuara për secilin.Ti e bëre Shqipërinë,siç e deshëm drejt Perëndimit dhe këtë e arrite me punë e sakrifica të jashtëzakonshme duke kapërcyer dallgët e frikshme të paragjykimeve, diskriminimit dhe margjinalizimit.
Çave përpara me kurajo të pashokë, talent të admirueshëm, vullnet të palëkundur për t’ia dalë. Ngrite ekonominë familjare, sigurove arsimim më të mirë për fëmijët, u dhe mbështetje jetike prindërve të tyre të moshuar.
Fuqia e ëndrrës së tyre për një jetë më të mirë, si të barabartë mes të barabartësh në Botën e Lirë, i rilindi si qytetarë të asaj bote ku sot janë bërë pjesë e pandarë dhe e respektuar.
E pra, nuk e dija se do ta bëje gjithë Shqipërinë pjesë të pandarë e të respektuar të Botës së Lirë duke e rilindur përmes forcës së lirisë, barazisë së mundësive për të gjithë dhe respektit për meritën e secilit, një Shqipëri të rilindur, me vlera të përbashkëta e qëllime të mëdha. Një Shqipëri moderne që nuk e njeh frikën nga e ardhmja dhe as kall pasiguri për të ardhmen në shpirtin e njerëzve të saj.
Ti rilinde besimin e njerëzve tek politika dhe ju dhe shqiptarëve një qeveri të mirë, që bëri të mundur në realitetin e jetës së tyre Rilindjen e projektuar në programin tënd ambicioz. Asnjë parti politike në këto dy dekada dhe as ne vetë më parë, nuk e kemi pasur një program kaq të detajuar qeverisës përpara një ballafaqimi zgjedhor, kaq madhështor pa blerje votash, e një sukses kaq të madh e të shpejtë.
Ju jeni i vetmi që mundi të bëjë realitet ndryshimin që kërkonin shqiptarët, e unë që e quaja veten të ditur nuk të besoja. Unë erdha në këtë ballafaqim kaq të rëndësishëm për Shqipërinë me bindjet e mia të thella dhe reflektimet e sinqerta në rrugën e vështirë që kishit ju me një opozitë të penguar, të vjedhur e të vrarë, erdha se pashë më në fund një qeverisje këtë vend në interesin e shumicës, në mbështetje të atyre që duan ta krijojnë mirëqenien me punë duke respektuar rregullat, e paralelisht në luftë pa kompromis me trashëgiminë e rëndë të rrënimit të institucioneve, kapjes së shtetit dhe përfitimeve të paligjshme, që pengonte ndërtimin e Shqipërisë Europiane.Ti garantove në radhën më të parë paprekshmërinë e hapësirës së aktivitetit opozitar në politikë, media, shoqëri.
Duke i dhënë parlamentit rolin e munguar në tërë këto vite si pushtet i përfaqësimit të popullit Sovran, duke e vënë ekzekutivin nën kontrollin e parlamentit dhe në shërbim të interesit kombëtar e publik, duke e vendosur gjyqësorin në kushtet që të japë drejtësi, duke i kthyer komunikimin qeverisë me publikun etikën e humbur ndër vite të tëra nga shpërdorimi i detyrës publike.
Shqipëria e rilindur është vendi ku të gjithë ndjehemi pjesë e një rrugëtimi të përbashkët, drejt një ëndrre që mbi njëqind vjet më parë çoi në Shqipërinë e pavarur. Ndërsa sot na çon drejt Shqipërisë Europiane si pjesë tërësisht e integruar e Europës së Bashkuar.
E pra unë nuk kisha parë gjë akoma, por më e çuditëshmja është se kur po i shikoj nuk e kuptova se jam vetëm në ëndër dhe sapo u zgjova e gjithë bota mu rrotullua e një zbrazëtirë kam në stomak, jo vetëm nga të pangrënit, por dhe nga frika e realitetit që më rrethon.
E pra i pashë të gjitha, e nuk dua të shikoj akoma…