Erdogani i pushtetshëm, Perëndimi dhe shqiptarët

1223

Azem Parllaku /  “Vota e 16 prillit ka treguar se populli ka votuar për një të ardhme më të mirë. Populli ka bërë një ndryshim të sistemit 200 vjeçar”, tha pas numërimit të votave të referendumit, Presidenti i Turqisë Erdogan. Me një diferencë të ngushtë votash dhe me një fitore të  dyshimtë Erdogan dhe mbështetësit e tij vendosën që, Turqia të cilën e krijoi Qemal Ataturku, të marrë fund. Ai që dikur ishte autoritet i Sulltanit, pas referendumit të së dielës u eshtë hequr ligjvënësve përfaqësues të popullit, dhe i është dhënë Erdoganit autoritar, i cili është i frymëzuar edhe nga historia osmane.

Pothuaj të gjitha mediat prestigjoze në Perëndim, i dënuan ashpër ndryshimet kushtetuese, duke argumentuar se Erdogani, sapo vrau demokracinë. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan më herët ka thënë se, vota “PO” në referendumin e 16 prillit është përgjigja më e mirë ndaj asaj që, e cilësoi “Europë fashiste dhe mizore”. Qytetarët e Turqisë këtë të dielë, dolën në referendumin e shtatë që nga themelimi i republikës, dhe me shumicë votuan pakon e ndryshimeve kushtetuese, ku një nga pikat më të rëndësishme të pakos së ndryshimeve kushtetuese është, futja e sistemit presidencial, i cili përfshin reduktimin e numrit të ministrive. 18 nenet e kushtetutës, për të cilat dhanë pëlqimin edhe qytetarët nëpërmjet referendumit në të ardhmen presidenti do të jetë edhe shef i qeverisë.

Posti i kryeministrit nuk do të ekzistojë më. Presidenti e ka dorën e lirë të emërojë ministra pa e dëgjuar parlamentin, të caktojë zëvendësit e tyre, të themelojë ministri sipas dëshirës dhe personalisht të vendosë mbi zgjedhjen e rektorëve të universiteteve. Ministrat nuk mund të shkarkohen me vendim për mosbesim nga ana e parlamentit, kundër tyre mund të zhvillohen vetëm hetime, por për fatin e tyre të mëtejshëm vendos presidenti. Sakaq, presidenti mund të jetë anëtar i një partie, gjë që deri më tani ka qenë e ndaluar. Ai po ashtu mund ta shpërndajë parlamentin në çdo kohë dhe të bllokojë projektligjet me veto.

Ata, që sot kanë votuar kundër, e akuzojnë presidentin Erdogan, se, e ka degraduar demokracinë parlamentare dhe po e imiton gjithnjë e më shumë pushtetin mesjetar të sulltanëve. Dikur një pajtues ai gradualisht u shndërrua në ngatërrestar të rrezikshëm. Në vitet e para të qeverisjes së tij Erdogan konsiderohej si reformator. Por kur e pa se elektorati qëndronte me besnikëri pas tij, filloi të qeverisë me stil autoritar. Shtypi filloi të kontrollohej gjithnjë e më shumë. Televizioni  shtetëror u vu nën kontrollin personal të ish-kryeministrit, teksa një numër i konsiderueshëm opinionistësh humbën vendin e punës.

Erdogani tashmë ka më shumë kopetenca t’a transformojë Turqinë në një vend të stilit të Putinit, me një udhëheqje konservatore islame. Gjithnjë e më shpesh gjatë këtij muaji, Erdogan ka artikuluar se, Turqia mund të shqyrtojë lidhjet e saj me Evropën, pas referendumit të 16 prillit. Turqia u zhyt në një krizë diplomatike me Europën, pasi Gjermania dhe Holanda ndaluan disa mitingje që kishin për qëllim forcimin  e mbështetjes për referendumin. Pas ndalimit të tyre Erdogan e quajti Holandën “mbeturinë naziste” dhe akuzoi Gjermaninë  për “veprime fashiste”. Presidenti  turk e ka krahasuar BE-në me atë të para Luftës së Dytë Botërore, kur mbizotëronte racizmi. “Ata kanë vite që grumbullojnë urrejtje për popullin tonë, për vendin tonë dhe për muslimanët anembanë botës”, ka qenë një pjesë e retorikës së ashpër të Erdoganit, ndaj Europës. Kur akuzoi Hollandën për vrasjen e 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë, ai i quajti si viktima klientelën e përkushtuar myslimane, viktima të një kryqëzate të europianëve. Pas ndalimit të aktiviteteve elektorale të ministrave turq në Gjermani e Hollandë, Erdogani gjeti një mjet efektiv për të arritur qëllimin e tij të “diktaturës” presidenciale. Ai inskenoi veten dhe turqit si viktima. Gjatë viteve të fundit Turqia ka shënuar rritje të befasishme ekonomike. Shumë i’a atribuojnë këtë fakt meritës së Erdoganit.

Pozicioni gjeografik mes dy kontinenteve, klima, historia dhe trashëgimia kulturore që disponon ky vend kanë favorizuar që të fuqizohet ekonomikisht. Fuqizimi i Turqisë duket se nuk është  pritur mirë nga disa vende europiane, përfshi këtu edhe Gjermaninë. Turqia ka një popullsi mbi 80 milion banorë të përafërt me atë të vendit më të fuqishëm në Europë dhe një nga më të fortët në botë. Ambicia e Erdoganit ka ndihmuar për ta çuar Turqinë në këtë pikë. Por ndryshe nga karikatura e një njeriu që kërkon pushtet për hir të pushtetit, presidenti turk në fakt ka një vizion për transformimin e Turqisë nënjë vend që është më i begatë, më i fuqishëm, dhe më shumë mysliman, që do të thotë se vlerat konservatore dhe fetare do i japin formë sjelljes dhe pritshmërive të turqve, teksa bëjnë përpara në jetë. Puçi ushtarak i dështuar në Turqi provokoi një situatë krejt të re.

Mjaft analistë hodhën hipotezat se ai ishte një inskenim që Erdogan e konkretizoi për të eliminuar kundërshtarët e tij. Nëse është kështu atëherë është pikërisht Presidenti turk që u ka lënë në dorë dopio gjashtën atyre që njihen si mbështetës të Gulen-it, që sipas Erdoganit tentuan ta rrënojnë ekonomikisht Turqinë. Reccep Tayyip Erdogan beson se marrëdhëniet me Washingtonin do të jenë më të mira gjatë presidencës së Trumpit dhe se dy aleatet e NATO-s do të arrinin konsensus më lehtë për problemet rajonale. Marrëdhëniet midis dy shteteve u përkeqësuan pas gushtit të dështuar ushtarak në Turqi. Erdogani ka fajësuar si organizator të grushtit të shtetit Fethullah Gulen-in, klerikun që jeton në Pensilvani që nga viti 1999 dhe kërkon ekstradimin e tij. Ankaraja është zemëruar me SHBA-në edhe për ndihmën qe kjo e fundit i ka dhënë një grupi kurd për luftën ndaj ISIS. Ende është shpejt për të besuar se SHBA, me Trump në krye do të jetë ndryshe, apo do të jetë si ajo gjatë presidencës Obama.

Shqiptarët gjithashtu kanë arsyet e tyre kur nga pallati i pushtetit të Erdoganit lëshohet ndonjë mesazh. Disa e shohin si burim të rritjes së pranisë së Islamit në botën shqiptare. Të tjerë si një kthim të otomanizmit që kërcënon simbolet kombëtare shqiptare. Disa kanë simpati më të madhe ndaj Greqisë dhe e shohin afrimin me Turqinë si automatikisht negative. Disa janë thjesht alergjikë ndaj gjithshkaje lindore, pavarësisht nga feja dhe kombësia, e disa e shohin Erdoganin si mik e shofer të Edi Ramës e disa si mik të Sali Berishës. Shqiptarët sipas politikbërësve turq, janë një komunitet që e ka ruajtur më së shumti trashëgiminë veçanërisht atë fetare, e gjithnjë e më tepër e ndiejnë veten ekonomikisht dhe kulturalisht të varur nga fuqia dhe influenca e Turqisë në Ballkan. Në këtë kuptim, mbështetja e popullsisë myslimane në Ballkan është imperativ për Turqinë që t’i arrijë objektivat e politikës së jashtme të saj.

Aktualisht në Ballkan balanca e fuqive rajonale është në proçesin e formimit, ndaj dhe Turqia ka preferuar të qëndrojë aktivisht e pranishme, mbasi rajoni është akoma tejet sensitiv dhe tregon paqëndrueshmëri të madhe sidomos në linjat kritike të gjeopolitikës. Davutoglu një diplomat i spikatur i shtetit turk, më herët ka artikuluar se, “Marrëveshja e Dejtonit, që i dha fund luftës boshnjake, përfaqëson vetëm një zgjidhje të përkohshme dhe nuk i adreson shkaqet e konfliktit. Përderisa edhe çështja shqiptare gjithashtu mbeti e pazgjidhur, Ballkani do të vazhdojë të jetë një zonë interesash konfliktuale dhe lufte fuqish në finalizimin e zonës mbrojtëse dhe të sigurisë evropiane”. Drejtuesit e shtetit turk në vijmësi i kanë mëshuar idesë se, trashëgimitë më të rëndësishme me ndikim në mardhëniet e fuqive të mëdha me Ballkanin janë; Ai aktiv gjerman në rajon, i zgjeruar nëpërmjet Austrisë dhe Hungarisë deri në Slloveni, Kroaci dhe Detin Adriatik. Ai i traditës sllavo-ortodokso-kristiane, me Rusinë si aktor kryesor, që e zgjeron influencën e saj mbi Bullgari dhe Serbi deri në Greqi, Detin Egje dhe atë Adriatik. Dhe e treta është trashëgmia osmane, e cila mbështetet thellësisht në grupet etnike në Ballkan që e identifikojnë veten ngushtësisht me kulturën osmane.

Udhëheqësit e Ankarasë aleatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë të bindur se, Shtetet e Bashkuara nevojitej që të bëheshin me boshnjakët dhe shqiptarët gjatë krizës në Ballkan, në mënyrë që ta zgjeronin influencën e tyre dhe t’a spostonin balancën rajonale në favor të tyre. Dhe kjo është arsyeja se pse është në interesin e Turqisë që ta ndjekë nga afër politikën ballkanike të Shteteve të Bashkuara. Davutoglu një frymëzues i politikës së jashtme të Turqisë, kur merr në analizë konfliktin e armatosur në Kosovë nënvizon qartësisht se, Kosova kishte dhe ka  një implikim të rëndësishëm për sigurinë e rajonit.

Shqiptarët në Kosovë mbajnë kontakte intensive dhe të ngushta me shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, Shqipëri dhe Mal të Zi. Në kundërshtim nga kriza boshnjake që u lokalizua kryesisht në Bosnje dhe Hercegovinë, problemi i shqiptarëve në Ballkan mund të ketë efekte shumë më të mëdha dhe mund të përhapet në të gjithë rajonin. Ai mund të përhapej lehtësisht në Maqedoni dhe të përbënte një problem në Shqipëri gjatë viteve 1998-1999. Në këtë kuptim, për shkak të strukturës së saj tejet sensitive etnike dhe fetare, problemi i Maqedonisë është çështje rajonale gjithashtu e rëndësishme për Turqinë.

Fakti që ka një popullsi të madhe shqiptare në Kosovë e Maqedoni mund ta bëjë Serbinë dhe Greqinë tejet të përfshira në krizën lidhur me çështjen shqiptare. Përderisa Serbia, Greqia dhe Bullgaria kanë interesa që janë të kundërta me ato të Turqisë në zgjidhjen e kësaj çështjeje, Turqia duhet t’i mbështesë komunitetet shqiptare në Kosovë e Maqedoni në pretendimin e të drejtave të tyre në rezistimin e presionit nga vendet e sipërpërmendura. “Krijimi i një aleance rajonale më të gjerë antiturke duhet të parandalohet”, shprehet Davutoglu. Një prej stimuluesve për aktivizmin e Turqisë në Ballkan është padyshim suksesi ekonomik dhe ngjitja e saj si një nga ekonomitë botërore. Për Turqinë, Shqipëria është një nga tregjet e preferuara të eksportit të mallrave, teksa kompani turke kanë realizuar dhe zhvillojnë projekte në sektorin minerar dhe ndërtimtari. Po kështu në Kosovë investimet e drejtpërdrejta turke kryesohen nga sektori bankar dhe minerar. Edhe pse prej vitesh është artikuluar se Turqia është një ndër  partnerët strategjikë të Shqipërisë, deri më sot ende nuk ka një dokument që formalizon këtë partneritet.

Dy janë rrymat më të fuqishme politike por edhe ekonomike e kulturore në Turqi, që investojnë në hapsirën shqiptare, njëra kontrollohet nga presidenti Erdogan dhe tjetra nga rivali i tij Fetullah Gulen. Për një pjesë të shqiptarëve turqit janë “vëllezër” për nga besimi fetar, ndërsa kritikët investimet turke në Kosovë dhe Shqipëri i shohin si tendencë “ripushtimi”. Dy rrymat fetare islamike guleniste e erdoganiste janë në garë, të parët kanë investuar kryesisht në arsim, të dytët më së shumti ndërtojnë xhami. Gulenistët anatemohen se po punojnë fort për mjegullimin e kujtesës sonë kombëtare, arsimtarët e medreseve dhe pedagogët e Universitetit të tyre, e shpjegojnë historinë sipas këndshikimit të pushtuesve osmanë. Në zinxhirin arsimor gulenist janë arsimuar mjaftueshëm nxënës e studentë, ku nuk mungojnë qindra prej fëmijëve të politikanëve dhe biznesmenëve shqiptarë. Ndërkaq erdoganistët shënjestrohen se janë ata që më së shumti frymëzojnë xhihad.

Dhjetëra xhami të reja, nëpër Shqipëri dhe Kosovë, si dhe restaurimi i gati të gjitha xhamive e objekteve tjera fetare të ndërtuara në kohën e pushtimit të Perandorisë Osmane, financohen nga donatori kryesor, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA). Ajo është themeluar nga qeveria turke, dhe në Shqipëri dhe në Kosovë udhëhiqet nga Ambasada turke. Disa hulumtues të vëmendshëm kanë nxjerrë konkluzionin se, në të shumtën e rasteve, TIKA mban fshehtë financat, zyrtarisht nuk ka shifra se sa para investon. Dyshohet se paratë i sjell në mënyrë ilegale dhe jo përmes bankave. Platforma neootomane e Ankarasë apo nacionalizmi fetar i saj tashmë nuk mund të konsiderohen si spekullime mediatike, as drafte teorike apo monografi si ato të ish-ministrit të Jashtëm, Davutoglu.




Këtë e pëlqejnë %d blogues: