Fitoi bashkinë nga burgu : Belerin mund ta shkarkojë Këshilli i Ministrave pa pritur vendimin e gjykatës

Politika

Zgjedhjet në Bashkinë e Himarës përfunduan me fitoren me një diferencë prej 19 votash të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri ndaj kandidatit të Partisë Socialiste, Gjergji Goro.

Zoti Beleri ndodhet në burg me akuzat për “blerje vote”, por kjo nuk e pengon ligjërisht Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve t’i japë atij mandatin.

Përkrahësit e kantidatit të koalicionit “Bashkë fitojmë” festuan në Himarë fitoren e Fredi Belerit i cili ndodhet në paraburgim në Tiranë i arrestuar dy ditë para zgjedhjeve me akuzën e blerjes së votave.

Nga rezultatet e votimeve të së dielës zoti Beleri ka dalë fitues vetëm me 19 vota diferencë nga rivali i tij Gjergji Goro, që përfaqësonte Partinë Socialiste.

Procesi i numërimit hera-herës ka kaluar me tensione për shkak të rezultatit të ngushtë dhe në dy kutitë e fundit është përcaktuar fituesi.

I përzgjedhur nga Partia e të Drejtave të Njeriut , një forcë politike që përfaqëson në Shqipëri kryesisht pakicën greke, Beleri u mbështet nga Koalicioni “Bashkë Fitojmë”.

Kryetari i Partisë së të Drejtave të Njeriut Vangjel Dule u tha sot gazetarëve në Himarë: “Është një faqe e re për Himarën dhe insistoj që Bashkia e Himarës duke i përfaqësuar të gjithë pa përjashtim do të jetë një model i ri. Ju garantoj se pavarësisht rezultateve zgjedhore sot, këtu në Himarë u thye autokracia e Ramës”.

Një ditë më parë kandidati i socialistëve, Jorgo Goro u shpreh menjëherë pas votimit të tij në Himarë se në qendrat e votimit kishte qetësi dhe njerëzit po shprehnin lirisht vullnetin e tyre.

“Qytetarët e Himarës duhet të shprehin vullnetin e tyre me votë dhe vota duhet të jetë për atë që qytetarët mendojnë. Ata po votojnë sot lirisht dhe në qendrat e votimit si edhe e shikoni ka qetësi”, dekalroi ai.

Pas shpalljes se rezultatit për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri përmes një postimi në Facebook, tha se e quante atë një fitore të demokracisë dhe falenderoi mbështetësit e tij për burrërinë që treguan.

“Në Himarë nuk ka humbës dhe fitues, shkruan Beleri, por ka një fitore të demokracisë dhe të qytetarëve”.

Zoti Beleri pritet të përfitojë mandatin e kryetarit të bashkisë nga KQZ pasi prezumohet i pafajshëm deri në vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin.

Këshilli i Minstrave, sipas ligjit të qeverisjes vendore, ka gjithashtu të drejtën, të shqyrtojë shkarkimin e tij nga detyra pa pritur vendimin e gjykatës për shkak të hetimit nga SPAK.

Kjo ka qenë një praktikë e ndjekur me kryetarët e bashkisë së Lushnjë dhe Bulqizës të cilël u liruan nga detyra pas arrestimit nga SPAK me akzuat për korrupsion në tendera.

Ndërkohë arrestimi i zotit Beleri në Himarë dy ditë para zgejdhjeve solli replika të forta mes Athinës dhe Tiranës zyrtare.

Pas vendimit të gjykatës së Vlorës për lënien në me burg të Fredi Belerit, Ministria e Jashtme greke e cilësoi vendimin “skandaloz, nëse provat nuk janë të pakundërshtueshme”.

Ministria e Jashtme greke tha se “arrestimi i një kandidati për kryetar bashkie dy ditë para zgjedhjeve nuk fliste për shtet ligjor në Shqipëri. Athina zyrtare tha se “Vendimi për ndalimin e kandidatit për kryetar bashkie sjell një ndryshim të plotë të rregullave të barazisë në zgjedhjet bashkiake në Himarë” .

Ndërsa në përgjigje të deklaratave të Athinës ministrja e Jashtme shqiptare, Olta Xhaçka tha se “Fredi Beleri është kapur duke u përfshirë në aktivitet kriminal kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.

“Është thuajse e pamundur të kuptojmë se si miqtë tanë grekë, kanë të drejtë të kundërshtojnë një vendim gjykate në vendin tonë, kur provat e forta që ata kërkonin janë shumë të qarta”, theksoi zonja Xhaçka./VOA

Pas