Gjenden 64 kg kanabis në bregdetin e Durrësit, në kërkim trafikantët

Aktualitet

Policia Kufitare e Durrësit në bashkëpunim me Guarda Di Finanza kanë sekuestruar 64.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa në rreth 5 milje nga bregu i detit. Ndërsa bëhet e ditur se në lidhje me këtë janë shpallur në kërkim trafikantët.

 

Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet: “Më datë 24.05.2017, gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia Kufitare dhe Guardia Di Finanza Italiane, përballë zënë së Kallmit, në një distancë rreth 5 milje nga bregu i detit, në det janë konstatuar dhe sekuestruar 7 pako, të dyshuara me lëndë narkotike kanabis sattiva”.

 

Gjithashtu mësohet se specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës kanë kryer veprimet e mëtejshme procedurale dhe peshimin e lëndës, ku në përfundim rezultoi se pesha e përgjithshme e lëndës narkotike ishte 64.5 kg e futur në 7 pako.

Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda vijojnë hetimet për zbulimin e origjinës së lëndës, identifikimin e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale” Trafikimi i lëndëve narkotike”.