Gjenden të vdekur dy të rinj shqiptarë në Itali, dyshohet se vidhnin banesa

Aktualitet

Dy shtets shqiptarë janë gjetur të vdekur në një gurore të braktisur në komunën Acquasanta në provincën e La Spezia të Italisë.

Mediat vendase raportojnë se policia italiane ka zbuluar trupat e pa jetë të dy shqiptarëve gjatë natës së shkuar dhe njëri prej tyre është identifikuar. Ai quhet Fabiol Kycyku 19 vjeç të cilin familjarët kanë denoncuar zhdukjen e tij të dielën e shkuar. Identiteti i shqiptarit të dytë ende nuk është konfirmuar nga autoritetet italiane.

Hetimet e para të mjekut ligjor kanë verifikuar se dy të rinjtë kanë humbur jetën rreth 3 ditë më parë në mënyrë aksidentale duke rënë nga një lartësi prej 40 metrash nga rruga bregetare që çon në territorin turistik “Cinque terre”.

Në trupat e tyre nuk janë gjetur shenja dhune ose plagë të shkaktuara nga armë zjarri apo armë të ftohta.

Gjithashtu nga hetimet paraprake dy shqiptarët  kanë humbur jetën aksidentalisht pasi kanë tentuar të grabisin një banesë  pranë vendgjarjes.

Alarmin e kërkimit të trupave të tyre në atë zonë e ka bërë një mik i tyre po shqiptar, pasi e dinte se dy të rinjtë do të kryenin një vjedhje banese në atë territor.

Sipas hetuesve të çështjes  Antonio Patrono e Federica Mariucci ky fakt është konfirmuar dhe nga sipërmarrësi ndërtues italian Antonino Sciacca, i cili ka deklaruar se natën e zhdukjes së dy të rinujve, dy persona kanë tentuar të grabisin vilën e tij mjaft pranë gurores së braktisur.

Pronarët e shtëpisë kanë dëgjuar zhurmë e sapo kanë ndezuar dritën kanë parë dy trupa të largohen me shpejtësi jashtë banesës.

Supozohet se dy të rinjtë shqiptarë për shkak të errësirës kanë kapërcyer gardhin e gurores duke menduar se do të hynin në një zonë pyjore.

Aksidentalisht ata kanë rënë nga një lartësi prej 40 metrash e për momentin kjo është pista e vetme mbi të cilën po heton policia italiane për zbardhjen e plotë të ngjarjes.