Nga Nikoleta Kovaçi
Me qindra vajza të mitura kanë folur në “Facebook” me një 40-vjeçar shqiptar që është baba fëmijësh. Ai jetonte në fshatin Ilia afër Vardas në Greqi dhe është arrestuar për ponografi fëmijësh më 23 maj, por dje ka dalë para gjyqtarit. Në seancën gjyqësore ditën e djeshme, shqiptari kërkoi falje para gjyqtarit së bashku me kushëririn e tij, 32-vjeçar, që ishte arrestuar po ashtu për të njëjtën çështje. Policia gjeti në telefonin e shqiptarit, mbi 500 video dhe fotografi vajzash të vogla lakuriq, të siguruara nga dhjetë profile të rreme që ai kishte hapur në facebook duke u paraqitur herë si burrë dhe herë si femër. Policia greke është duke hetuar se ku tjetër është dërguar materiali pornografik me fëmijë, që ekzistonte fillimisht vetëm në celularin e tij dhe nuk ishte gjetur në kompjuterin e tij.
I arrestuari ka folur me qindra vajza të mitura nga 12 vjeçe e sipër, herë duke i bindur e herë duke i kërcënuar, me qëllim që të siguronte videot dhe fotografitë e tyre lakuriq. Policia greke njoftoi se dy burra, shtetas të huaj, 40 dhe 32 vjeç, janë arrestuar më 23 maj 2017 në rajonin e Ilias të akuzuar për pornografi fëmijësh dhe joshjen e fëmijëve për qëllime seksuale dhe paraqitjen pornografike të të miturve. Arrestimi i dy personave ishte rezultat i një investigimi të oficerëve të policisë në bashkëpunim me Zyrën e Prokurorit të krimit elektronik! Dy ditë më parë mediat vendase bënë me dije se zbulimi ka ardhur nga policia e Krimit Elektronik, që ka gjurmuar në internet personat në fjalë dhe ka gjetur vendndodhjen e tyre. Sipas policisë, kryesori i këtij krimi të rëndë është 40-vjeçari, i cili kishte krijuar shumë profile të ndryshme në rrjetet sociale, me anë të të cilave lidhej me vajzat e mitura në të gjithë Greqinë. Të dy shtetasit shqiptarë, që janë kushërinj me njëri-tjetrin, emrat e të cilëve ende nuk publikohen, kanë rezultuar se ndodheshin në Greqi pa leje të rregullt qëndrimi, ndërsa nuk bëhet me dije nëse kanë të shkuar kriminale apo jo.