Greqi: Rregullat e reja për lejet e qendrimit të emigrantëve.

Aktualitet

Lejet e ripërtërira të qëndrimit të emigrantëve që punojnë e jetojnë në Greqi për periudhën e situatës së pandemisë së koronavirusit do të dërgohen me postë në shtëpitë apo adresat e deklaruara në shërbimin e të huajve nga vetë emigrantët.

Ministria greke e Emigracionit publikoi në gazeten zyrtare të qeverisë greke vendimin, sipas të cilit, lejet e qëndrimit lëshuar nga shkurti deri në prill dhe në vijim do t`u dërgohen emigrantëve me shërbimin e veçantë të postës greke, me kosto të qeverisë greke.

Vendimi shmang paraqitjen e emigrantëve apo avokatëve të tyre në Qendrat e të Huajve, të cilat me një vendim të qeverisë greke janë mbyllur. Pak kohë më parë Qeveria greke vendosi të shtyjë me 5 muaj lejet e qëndrimit dhe vërtetimet e dorëzimit të kërkesës për ripërtëritjen tyre për të gjithë emigrantët e huaj, pjesa dërrmuese e të cilëve janë nga Shqipëria.

Sipas vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare lejet e qëndrimit që skaduan nga 11 shkurti deri në 11 mars dhe ato që skadojnë nga 12 Marsi deri më 12 Maj ripërtërihen automatikisht deri më 12 tetor. Ministria greke e Emigracionit dhe Azilit zgjatinjë javë më parë me 4 muaj edhe vlefshmërinë e lejeve të qëndrimit dhe kartat e aplikantëve për mbrojtje ndërkombëtare.

Vendimi u vjen në ndihmë disa mijëra qyetarëve shqiptarë që kanë marrë apo aplikuar për azil në Greqi dhe dokumentet e tyre kishin skaduar apo skadojnë gjatë kësaj periudhe.