Greqia vendos masa të reja dhe gjoba ‘të kripura’ për Covid-19

Greqi

Qeveria greke ka shpallur masa të reja kundër Covid-19.

Sipas vendimit të publikuar në fletoren zyrtare, masat do të zbatohen në harkun kohor 25 -31 gusht, në periferitë e Atikës, Kretës dhe Maqedonisë Lindore dhe Trakës; në njësitë rajonale Selanik, Halkidiki, Larisa, Korfuz, Karditsa, Pela dhe Pieria, dhe në bashkitë Mikonos, Paros, Thira, Volos, Katerini, Rodos, Antiparos, Zakinthos e Kos.

Kështu, caktohet limit prej 50 pjesëmarrësish në çdo veprimtari, pavarësisht nëse zhvillohet në mjedise private apo publike, brenda apo jashtë.

Këtu përfshihen edhe ceremonitë si dasmat, pagëzimet, varrimet.

Në rast të shkeljes së limitit numerik, personat fizikë gjobiten me 150 euro.

Ndërsa për bizneset që i organizojnë këto veprimtari, gjobat fillojnë në 3.000 euro dhe shkojnë deri në 5.000 euro, ndërsa parashikohet edhe pezullimi i biznesit për 15 ditë.

Sa u përket personave fizikë që organizojnë evente, gjobat janë 3.000 dhe 5.000 euro.

Nga kjo masë, pra nga numri i limituar i pjesëmarrësve, përjashtohen lokalet e ushqimit, koncertet live, shfaqjet teatrale dhe kinematografike.

Vazhdon ndalimi i funksionimit të lokaleve të ushqimit dhe argëtimit nga ora 24 e mesnatës deri në 7 të mëngjesit.

Në anën tjetër, gjatë këtij harku kohor, pra nga mesnata deri në 7 të mëngjesit, lejohet funksionimi deliveri dhe marrja e porosisë me vete, por jo dhe tregtimi i alkoolit gjatë orëve të mësipërme.

Gjobat këtu janë më të kripura. Fillojnë nga 10.000 euro dhe pezullim të funksionimit nga 3 deri në 20 ditë.