I verbër nxirri sytë të verbërit !

Opinion

fatos ne focus-1Fatos MALAJ  /  Të mbetemi fare të vobekët . Je i verbër! Jo, nuk të ka “qorruar” zilia që ndjen.  Mungesa e arsyetimit, e logjikës të kanë lënë në errësirë. Mëso se bashkë me to humbet gjithçka.

Do flas pak hapur, jo siç m’a do puna, kur përpiqem të afroj të ndarët, të bashkoj të larguarit, të ndërmjetësoj me gjakftohtësi, dashamirësi, pa qenë plotësisht vetvetja siç do doja.

Do jem për pak rreshta Fatosi, në një kafe me të gjithë JU, një e nga një:

Ka lloje lloje kjo dynja. Shyqyr zotit (të çdo besimi) baçja është plot me fruta e perime. Prandaj dhe puna ime është e gjatë e e lodhshme. O mik, shpesh është dhe e frikshme të kombinosh mollën me kungullin, kur të shijon vetëm kajsia! Por ama kam punë, sidomos këtë periudhë, domethënë pesëvjeçarin e ardhshëm unë do kem shumë punë. Nuk do ankohem! Se janë kohë të vështira. As do pasurohem! Se jam njeri i vështirë. Jam mësuar të mbaj kokën drejt e lart. E metë do thuash. Pa problem. Nuk ka mes nesh rracë superiore, ariane. Ky qe fati ynë, nga kufizimi në kufizim, nga skamja në varfëri.

Pak më shumë para ti, pak më pak unë. Pak më shumë dije unë, pak më pak ti. Njësoj të verbër, banorë të ekonomive të djegura nga shoqëri fatkeqe. Historia e përjetshme BALLKANIKE!

E megjithatë TI këtë nuk e kupton. Do doje të ishe Ti-UNË dhe UNË-TI.

Se aq di, aq shikon. Se po të të them që do mallkoje orën e minutën që e urove, do më nxjerrësh sytë akoma më keq.

Dëgjo o mik. Jo, Dëgjo o i mjerë!

Ka njerëz që ushqehen me pak bukë e shumë sadisfaksion. Të t’a shpjegoj “troç” fare? Ka njerëz që nuk quajnë arritje llogarinë e trashë bankare.

Ka njerëz që nuk janë kaq të trashë.

Ka njerëz që nuk kanë fare llogari bankare.

Ka njerëz që përmes punës së tyre zbulojnë kaq shumë aspekte të kësaj cope jete në emigracion saqë ato që ti ëndërron me kaq pasion, i zhvleftëson në 0. Po zero absolute të them.

Duhet të vish këtu që të kuptohemi. Të vish duhet të mos nxjerrësh sy, po të hapësh sytë, veshët, mendjen.

MENDJEN, të zgjerosh horizontet, të investosh tek vetvetja, jo tek qindarkat.

Mirëqënia e vërtetë, puna komode nuk blihet, konceptohet, jetohet!

Ti për mua je i verbër. Unë për ty jam i verbër. Megjithëse të kam parë e të shoh mirë çdo ditë, të njoh ndoshta më mirë seç njeh TI veten. Mos u shqetëso, nuk do të të pengoj rrugën, do rrokullisesh vetë.

I verbëri do gjithmonë një dorë që të mbahet. E harrove? Mos e kafsho dorën që të zgjatet. Do mbetesh i vobekët. O i mjerë!