Ikën rinia, po plaket Shqipëria

Sociale

plakja ne shqiperi-2Një studim i INSTAT-it e ka vërtetuar hipotezën se popullsia e Shqipërisë do të bëhet shumë më e vogël se sot. Emigrimi i të rinjve, lindshmëria e ulët dhe rritja e jetëgjatësisë po e çon Shqipërinë drejt plakjes. Sipas studimi të INSTAT-it, të realizuar me asistencën e qeverisë zvicerane, Shqipëria në vitin 2030 do të ketë një popullsi mbi 65 vjeç në masën 33% të qytetarëve. “Gjatë dy dekadave, nga 1989 deri në 2011-n, numri i personave të moshuar është dyfishuar dhe, nëse ky trend do të vazhdojë me këto ritme, në vitin 2031 do të kemi 1/3 e popullsisë mbi 65 vjeç”, tha Emira Galanxhi, drejtore e Statistikave Sociale. “Të rinjtë kanë vazhduar të emigrojnë përgjatë dekadës së fundit. Studime të fundit tregojnë qëllimin në rritje të rinisë për të lënë vendin e tyre. Si ndikon kjo në marrëdhëniet ekonomike e sociale? Ky trend duhet të shqetësojë çdo qeveri dhe politikëbërës”, tha ambasadori zviceran Christoph Graff, që ishte i pranishëm gjatë këtij prezantimi.

Skenarët

Ecuria e ardhshme e popullsisë në Shqipëri ndryshon shumë sipas grupmoshave. Numri i të moshuarve me moshë 65 vjeç e lart parashikohet të rritet shumë, ndërsa numri i fëmijëve me moshë më pak se 15 vjeç do të vazhdojë të bjerë. Edhe popullsia në moshë pune (15 deri 64 vjeç) do të pësojë rënie. Pavarësisht se gjenerata të mëdha do të arrijnë moshën e punës në dy dekadat e fundit, popullsia në moshë pune do të mbetet relativisht konstante (mbi 1.920.000) për shkak të emigrimit në shkallë të gjerë të të rinjve. Numri i të moshuarve me moshë 65 vjeç e lart rritet me 84% në krahasim me vitin 2011 për të arritur ndërmjet 570.445 dhe 604.693 individëve në vitin 2031. Kjo shpjegohet nga arritja e moshës së pensionit nga gjeneratat e foshnjave (të lindura ndërmjet viteve 1945 dhe 1960). Ato jo vetëm që janë më të shumta se gjeneratat e mëparshme në sajë të shkallës më të madhe të lindshmërisë dhe rënies së shpejtë në vdekshmërinë (e foshnjave) në kohën e lindjes, por gjithashtu ishin më pak të prekura nga emigrimi i viteve 1990 e më pas, krahasuar me gjeneratat më të reja. Numri i individëve shumë të moshuar (me moshë 80 vjeç e lart) pritet të dyfishohet sipas të gjithë skenarëve, duke arritur në më shumë se 120.000 në vitin 2031.

Burimi: Shqip

plakja ne shqiperi-3