Instituti i Statistikave lajmëroi se shkalla e papunësisë në tremujorin e parë të këtij viti është 12%. Sipas INSTAT-it, numri i punëkërkuesve të papunë të regjistruar për periudhën Janar-Mars të këtij viti është 4.3% më i ulët sesa në të njëjtin tremujor të vitit pararendës.
Në krahasim me tremujorin e katërt të vitit të kaluar, ky tregues paraqitet me një ulje prej 6.2%.
Numri mesatar i personave të regjistruar si punëkërkues të papunë gjatë tremujorit të parë të 2016-s është rreth 139 mijë.
Qarqet e Tiranës, Fierit, Elbasanit dhe Vlorës kanë numrin më të madh të punëkërkuesve të papunë të regjistruar. 4 për qind e tyre në rang vendi kanë përfituar pagesë papunësie.
Sipas strukturës, 39.5 për qind e të punësuarve është në sektorin e bujqësisë, pasuar nga shërbimet e tregut me 24.2 për qind. Shërbimet jo të tregut zënë 16.6 për qind, ndërsa industria përpunuese dhe ndërtimi janë përkatësisht në nivelin 9.8 dhe 7.2 për qind. Strukura e punësimit mbyllet me industrinë nxjerrëse me 2.6 për qind.