Të veprojë prokuroria!
Lëvizja politike “Zgjidhja” e Koço Kokëdhimë ka reaguar edhe njëherë në lidhje me shpërthimin e ujërave të zeza pak metra larg nga bregu në gjirin e Sarandës, duke shkaktuar ndotje të detit.Përmes një komunikate për mediat, Zgjidhja shprehet se qeveria bëri shurdhmemecin, pasi ndotja nga kroçerat e huaja bëhet me mirëkuptimin e autoriteteve shqiptare
Kroçera gjigande “MSC Poesia” në datën 3 gusht shkarkoi ujërat e zeza fare pak metra larg nga bregu në gjirin e Sarandës, në mes të ditës. Qytetarët kanë publikuar foto nga ky skandal. Qeveria heshti, nuk dha asnjë përgjigje për publikun, asnjë shpjegim. Bëri thjesht, shurdhmemecin.
Ndotja nga kroçerat e huaja bëhet me mirëkuptimin e autoriteteve shqiptare. Zyrtarët shqiptarë marrin rryshfete për çdo shkarkesë ndotëse të anijeve të huaja. ZGJIDHJA i bën thirrje Prokurorisë së Krimeve të Rënda pranë Prokurorisë së Përgjithshme që të marrë në përgjegjësi penale drejtuesit e “MSC Poesia” dhe të gjithë zyrtarët e agjencive të shtetit shqiptar që kanë lejuar ngjarjen e datës 3 gusht në Sarandë. “MSC Poesia” është pronë e kompanisë italiane “MSC Cruises S.A.” me drejtor ekzekutiv Pierfrancesco Vago.
Kjo kompani ka marrë çertifikatën ISO 14001 për menaxhimin e mjedisit. Kompania “MSC Cruises S.A.” është pjesë e grupit “MSC Group” me themelues dhe drejtor ekzekutiv Gianluigi Aponte dhe me seli në Gjenevë. Familjet italiane Aponte dhe Vago janë njëkohësisht edhe pronarët e “MSC Group”, pra edhe pronarët e anijes “MSC Poesia” që shkarkoi ujërat e zeza në gjirin e Sarandës.
ZGJIDHJA i kërkon Qeverisë së Shqipërisë të ankohet pranë ISO-s dhe të ngrejë të gjitha kërkimet që janë në përgjegjësitë dhe kompetencat e ISO-s kundër “MSC Cruises”. Anija në fjalë nuk duhet të lejohet më të shkelë në ujërat teritoriale të Shqipërisë derisa pronarët e saj të dëmshpërblejnë Shqipërinë.
Qeveria jonë duhet të kërkojë dëmshpërblime deri në qindarkën e fundit për shtetin dhe për kompanitë turistike shqiptare të dëmtuara nga “MSC Cruises” dhe “MSC Group”. ZGJIDHJA i kërkon Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Kryeministrit të Shqipërisë t’i dërgojë notë zyrtare Qeverisë Italiane dhe Qeverisë Zvicerane ku të informohen autoritetet e tyre për shkeljet dhe dëmet që ka bërë ndaj Shqipërisë kompania italiane, pjesë e grupit zviceran.
ZGJIDHJA tërheq vëmendjen e autoriteteve shqiptare se për ngjarrjen e 3 gushtit kanë përgjegjësit edhe autoritetet italiane. Qeveria Shqiptare duhet t’ia bëjë të qartë Qeverisë Italiane këtë fakt. Italia dhe Shqipëria aderojnë në konventën e Barcelonës “Për Mbrojtjen e Mjedisit Detar dhe të zonës bregdetare të detit Mesdhe si dhe të Gjashtë Protokolleve shoqëruese”. Ngjarja e 3 gushtit dëshmon se kompania italiane ka shkelur Protokollin 1 të Konventës së Barcelonës për “Parandalimin dhe shmangien e ndotjes së detit Mesdhe nga mbeturinat e anijeve dhe të aroplanëve ose nga djegia e tyre në det”.
ZGJIDHJA nuk ka besim te qeveria jonë. Kjo qeveri tutkunësh është bashkëfajtore dhe e pabesueshme. Prej saj nuk pritet asgjë tjetër veç heshtjes, justifikimeve, korrupsionit dhe mashtrimeve. Ne ftojmë mbështetësit tanë, qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë dhe shoqërinë civile të mendojnë dhe të bëjmë së bashku një plan si të mbrojmë brigjet tona nga ndotjet e miqve të qeverisë!
ZGJIDHJA e fton kryeministrin dhe qeverinë të japin publikisht shpjegime të hollësishme për ngjarjen e 3 gushtit në gjirin e Sarandës, personat përgjegjës dhe masat e marra.
#ZGJIDHJApërShqipërinë