Kakavijë : Një shtetase greke ndalohet nga policia, kapet me 23 mijë euro

Aktualitet

Një 55-vjeçare greke është ndaluar nga Policia Kufitare e Kakavijës me 22.850 euro të padeklaruara. Sipas uniformave blu, grekja nuk ka deklaruara shumën e parave në kufi.

Për pasojë 55-vjeçarja është proceduar në gjendje të lirë nga drejtësia shqiptare.

“Gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e shtetases Th. V., u gjetën 22 850 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. 55-vjeçarja nuk e kishte deklaruar këtë shumë sipas përcaktimeve ligjore në fuqi”, njoftojnë uniformat blu

Njoftimi i policisë:
Kakavijë / Shërbimet e Policisë Kufitare, krahas masave të ndërmarra për menaxhimin e fluksit të shtuar në hyrje/dalje, gjatë sezonit turistik, kanë intensifikuar kontrollet për goditjen e paligjshmërive.

Goditet një tjetër rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi, gjenden dhe sekuestrohen 22 850 euro, procedohet në gjendje të lirë një shtetase greke.

Bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në dalje të RSH-së, shërbimet e Policisë Kufitare kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin me të cilin udhëtonte shtetasja Th. V. Gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e shtetases Th. V., u gjetën 22 850 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. 55-vjeçarja nuk e kishte deklaruar këtë shumë sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen Th. V., 55 vjeçe, banuese në Greqi, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.