Afrim Krasniqi / Janë zgjedhur për të përfaqësuar qytetarët nga Vermoshi, Hasi, Bilishti deri në Konispol, dhe për ironi, deputetët që përfaqësojnë Vermoshin, Hasin, Bilishtin dhe Konispolin, ashtu si shumica e deputetëve të tjerë të rretheve….banojnë në Tiranë. Jo pak, por 92 nga 140 deputetët, ose rreth 66% e parlamentit (dy të tretat). Të dhënat bazohen në atë çfarë vetë deputetët kanë deklaruar, pasi 11 deputetë të tjerë kanë deklaruar si adresë banesa jashtë Tiranës, por që de facto, sipas të dhënave lehtësisht të verifikueshme kanë biznese ose janë banorë në Tiranë.
A mund të përfaqësojnë zgjedhësit ata që nuk banojnë me zgjedhësit dhe tek zgjedhësit? A mund të përfaqësojnë e mbrojnë interesat lokalë të zonës zgjedhore ata që de facto janë turistë periodikë në atë zonë? A mund të jenë “të përzgjedhurit” e duhur të rretheve ata që nuk paguajnë taksa në zonën ku janë zgjedhur, nuk i dërgojnë fëmijët në shkollat e zonës ku janë zgjedhur, nuk vizitohen në spitalet ku vizitohen zgjedhësit e zonës ku janë zgjedhur..? A mund të kemi demokraci vetëm nga lart (nga Tirana) dhe sa përfaqësuese është një elitë politike që delegohet në periferi vetëm 30 ditët e fushatës elektorale për të marrë një mandat parlamentar? A nuk është kjo një reminishencë e Bllokut Komunist, ku të përzgjedhurit e Udhëheqësit banonin në luksin e Tiranës dhe drejtonin Shqipërinë e izoluar e të varfër? A mund të aplikojmë modelin klasik të senateve sipas të cilëve, ka lidhje të detyrueshme midis mandatit të senatorëve dhe zonës zgjedhore? A kanë vlerë dhe peshë në vendimmarrje e përfaqësim degët lokale të partive? Për më tepër, nëse periferia nuk ka politikanë karriere të aftë e të përshtatshëm për të zgjedhur deputetë, përse praktika e emërimeve nga qendra (Tirana) ka çuar në rritjen e “të fortëve” në parlament në emër të zonave të periferisë, kryesisht njerëz me të shkuar kriminale ose individë me karrierë policie e biznesi?
Janë disa nga pyetjet që duhet të marrin vëmendje dhe vlerë, në një sistem dukshëm jo-përfaqësues dhe problematik, siç është sistemi aktual parlamentar e partiak. Instituti i Studimeve Politike, mbështetur nga FES, është duke monitoruar parlamentin, dhe pjesë e analizës do jenë të dhëna që lidhen me përfaqësimin zonal, përfaqësimin gjinor, fetar dhe social, me raportet midis deputetëve e zonave të tyre zgjedhore, me ndryshimet e zonave gjatë viteve dhe me aspekte të tjera, – të cilat, vlejnë për ta njohur e shpjeguar më horizontalisht nivelin dhe cilësinë e legjitimitetit të “tempullit të demokracisë” siç këta tanët, e quajnë vendin ku mblidhen për të përfaqësuar partinë, shefin, klientelën, miqtë, interesat (kryesisht të veta), dhe në fund edhe interesat e zgjedhësve e të vendit!