Koço Kokëdhima: Qeveria “afrikane” e Tiranës!

750

Kryeministri po vazhdon nëpër Shqipëri një fushatë manipuluese me takime “gju më gju me popullin”, duke bërë sikur u qan hallin njerëzve të thjeshtë, të zhytur në varfëri dhe padrejtësi. 

ZGJIDHJA është e vendosur dhe në krah të popullit të denoncojë deri në fund Kryeministrit për politikat korruptive, antipopullore dhe antidemokratike që po ndjek duke e vënë gjithçka: pushtetin, buxhetin, burimet natyrore, institucionet, politikat, praktikat qeverisëse dhe ligjet, në shërbim dhe në mbrojtje të interesave të një grushti oligarkësh, të cilët po zhvatin në mënyrën më të egër dhe më çnjerëzore shumicën dërrmuese të shqiptarëve. “Oxfam”, një nga institutet me prestigjioze në botë për kërkimet ekonomike e ka renditur qeverinë çetë të Kryeministrit, të katërtën më të keqe në gjithë globin, pikërisht në luftën kundër pabarazisë.

Në raportin e publikuar prej “Oxfam”, qeveria shqiptare renditet në vendet e turpit, ndër 154 qeveritë e botës, qëndron krah atyre të Nigerisë, Bahreinit dhe Mianmarit ku popujt grabiten në mënyrën më shtazarake. Kjo “medalje” e re i jepet Qeverisë sonë jo vetëm se nuk po bën asgjë për të luftuar pabarazinë, por me politikat e saj favorizon oligarkët për të rrjepur shtresat e varfra. Sipas “Oxfam”, 10 qeveritë më të suksesshme në luftën kundër pabarazisë janë të gjitha nga Europa. Ndërsa në 10-shen e fundit të tabelës, “ndriçon” i vetmi vend, që gjeografikisht gjendet në zemër të Europës, Shqipëria, përkrah Nigerisë, Tongo-s, Buthanit, Panamasë etj. Afrika e varfër dhe super e korruptuar është modeli politik, ekonomik, ideologjik, social dhe kulturor që ndjek, zbaton dhe mishëron ky Kryeministër.

Ai ia doli ta privatizojë, uzurpojë dhe shkatërrojë Partinë Socialiste në vitet e shkuara. E bëri edhe atë si gjithë partitë e tjera të këtij vendi, një strukturë mafioze, të kriminalizuar dhe antidemokratike. Pasi shkatërroi PS-në, këto katër vite do i hajë edhe kokallet e fundit, që i kanë mbetur ekonomisë dhe shtetit Shqiptar! Merr borxhe të fshehura e të kripura dhe financon oligarkinë e tij. Ia kaloi ku e ku modeleve të politikanëve të tjerë, që qeverisën tranzicionin tragjik të Shqipërisë.  ZGJIDHJA është projekti politik që do udhëheqë përmbysjen e kësaj kaste të pashpirt e mizore dhe kthimin e Shqipërisë në rrugën drejt modeleve më të mira të demokracive perëndimore. ZGJIDHJA, përmes zgjedhjeve paraprake, do lejojë dhe mundësojë qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë të sjellin në pushtet njerëz të drejtë e të mirë, përfaqësuesit e popullit, nga populli dhe për popullin!  ZGJIDHJA do e përmbysë pushtetin e oligarkisë së korrupsionit dhe do zhvillojë politika për ngushtimin e pabarazisë, kundër varfërisë dhe grabitjes së paskrupullt të popullit shqiptar. #ZGJIDHJAkundërOligarkisë