Shpëtim Nazarko / Kritika, jo vetëm e Berishës, Bashës, por edhe një pjese të shtypit, është drejtuar përgjithësisht në mungesën e investimeve publike të Ramës këto katër vjet të qeverisjes së tij. Në një emision televiziv, drejtuesi i tij, i kundërvuri Ramës si argument edhe faktin se në vitin 2009, Berisha kishte një rritje të ekonomisë prej 9 për qind. Këtë shifër nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë. Për mendimin tim, pas vitit 2008-2009, ekonomia e Shqipërisë filloi tatëpjetën e plotë dhe aty nga viti 2011, kjo ekonomi ishte duke dhënë shpirt. Dhe kjo tatëpjetë, kishte fare pak të bënte me krizën botërore që shpesh përmendet nga ata që theksojnë rritjen e viteve të mandatit të parë të Berishës.
Këtë gjë nuk është e vështirë ta shpjegoj dhe shpesh e kam përdorur vetë si argument më shumë se një herë. Privatizimi i bankave më të mëdha të vendit në vitet 2002 -2004, që shpuri në ardhjen e Raiffeissen dhe BKT, lejoi që në ekonominë e vendit të hynte një sasi e madhe parash në formën e kredive, që nuk ishin marrë kurrë deri atëherë në Shqipëri. Dhe kjo sasi parash erdhi jo vetëm nga individi, por edhe nga shteti. I pari në vitet 2006 -2008 dhe shteti pak pas kësaj periudhe.
Arsyeja ishte e thjeshtë. Investimet e privatit rezultuan përgjithësisht të gabuara, pra në kafene pafund, pika karburanti, restorante, ndërtime etj., etj. Duke e vëzhguar këtë proces, bankat e ndërruan politikën dhe filluan t’i japin kredi shtetit. Po dhe kjo taktikë rezultoi joeficente dhe pas vitit 2011 shohim një tkurrje të tyre dhe orientim të kredive më tepër jashtë vendit.
Po le të hyjmë në temën e artikullit.
Ka një rregull të thjeshtë, i cili zbatohet në të gjitha fushat, e jo vetëm në atë të qeverisjes së vendit. Në pozicionet e vështira çlirohesh dalëngadalë. Tentativat për të marrë inisiativa në këto pozicione thellojnë akoma më shumë katastrofën. Shembulli në Shqipëri nuk mungonte për këtë. Pas vitit 1992 deri në ’96 të gjithë e panë këtë lloj çmendurie që gati shpuri vendin në luftë civile. Po duket se përsëri asnjë nuk zuri mend dhe e përsërit të njëjtën skemë edhe në 2006-2009. Po kësaj radhe duke infektuar jo vetëm paratë e ardhura të individëve, por edhe bankave. Për mendjen time, kjo dramë sa ka filluar dhe Shqipëria do ta ndiejë atë shumë më gjatë sesa e mendon. Grupet e mëdha të biznesit që u krijuan këtë periudhë po lëngojnë dhe do të lëngojnë, duke tërhequr zvarrë edhe vendin për shkak po të investimeve analoge si ato të viteve ’92-’96.
Në marrjen e qeverisë më 2013-n, Rama ishte i detyruar apo jo, këtë nuk e dimë saktë, të likuidonte një sasi të madhe borxhesh që i ishte marrë privatit. Flitet për një shumë prej 700 milionë eurosh.
Po çfarë ishin këto para borxh në thelbin e tyre? Punë të mbaruara dhe të papaguara. Mundet që Rama të gënjejë, por mund të thotë të vërtetën. Për atë që kërkon të bëjë një analizë minimale logjike, unë besoj se do të mjaftonin dy vëzhgime elementare, që të kuptonim se çështja është më e thellë.
Mjafton të shikosh dy akse rrugësh për të kuptuar se politika e investimeve publike në Shqipëri, jo vetëm ka qenë thjesht e gabuar, por do të vazhdojë për kohë të tëra të pengojë qeveritë e ardhshme.
Aksi Durrës –Rrogozhinë që ka rreth 35 km distancë, jo vetëm u la gjysmë disa herë, po u ndërtua me një ngadalësi të atillë që përfundoi ndryshe nga Rruga e Kombit gati për 10 vjet. Vetë Rruga e Kombit, që thithi një sasi kolosale parash, do ende edhe 130 milionë euro për të mbaruar disa ura. Vetë mendoja se do të kërkonte shumë më tepër, për shkak të cilësisë së keqe të rrugës në shumë vende. Në thelb, nëse e shikon si të tërë Rrugën Durrës-Kukës, ajo ka vetëm një segment të përfunduar atë Milot–Rrëshen, edhe ky i survejuar dhe financuar nga të huajt.
Mund t’i shtonim këtu edhe Rrugën Tiranë–Elbasan që do të kërkojë po ashtu 100 milionë të tjera. Nëse Rama i ka gjetur këto para si për të përfunduar rrugën e Kukësit dhe atë të Elbasanit, po edhe bypass-in e Fierit, shuma që ai ka hedhur për investime publike, është rreth 1 milardë euro.
Kjo llogari nuk ka asnjë vlerë nëse nuk marrim parasysh militantët apo analistët që nuk para llogaritin dot shifra me 6 apo 7 zero nga pas. Problemi është më i thellë dhe për mua ka qenë nga shkaqet e respektit për Ramën dhe mënyrën si operon ai.
Ç’do të thotë që Shqipëria në planet e saj ka turizmin si prioritet kryesor?
Nëse do të vesh në Pogradec dhe rruga mbaron në Qafë-Thanë dhe pastaj duhet të llogaritësh të hysh në xhungël, do të thotë që nuk ke ide për të shfrytëzuar Pogradecin, apo Korcën, si qendër turistike. I njëjti shembull mund të merret për Beratin. Nëse autostrada mbaron në Lushnjë dhe deri atje duhet të kalojë një xhungël nga Durrësi në Rogozhinë, kjo do të thotë se nuk ke punë me turizmin në Berat. E njëjta histori është edhe për të vajtur në Vlorë apo në Sarandë. Nëse të mungon Bypass-i i Fierit, atëherë nuk e kuptoj si mund të thuhet se kërkon të bësh turizëm në Vlorë. Në këtë të fundit, pa mbaruar edhe ajo që quhet Transbalkanike, ishte vërtet një shëtitje nëpër xhungël.
Në thelbin e tyre, këto sasi parash për të mbyllur vrimat e pafundme, që la qeveria e kaluar, duke llogaritur paratë borxh që theksuam në fillim, mund t’ia kalojnë investimeve publike që përmend Berisha.
Nëse do të bashkoheshim me kritikën e Ramës, se Berisha nuk ka çuar asnjë rrugë deri në fund, nuk do të thoshim ndonjë gjë të re. Shembujt e mësipërm janë të mjaftueshëm për të ilustruar këtë kritikë. Po kritika për mua zhvillohet në një plan tjetër. Ai që ka parë qytetet e mësipërme që u përmëndën si shembuj turizmi, nuk është tmerruar vetëm nga mungesa e rrugëve që të shpinin atje, por edhe nga vetë qendrat e këtyre qyteteve.
Berati i sotëm nga ai 7 viteve më parë, megjithëse nuk është mrekulli siç duan ta paraqisin disa, po mund të quhet mbas mbarimit të rrugës që të shpie atje dhe i qendrës së tij, një destinacion normal turistik. Mund të shkosh deri në Pogradec, megjithëse, për mendjen time, këtë qytet e ka hedhur përfundimisht përdhe qeverisja njëzet e pesë vjecare e tranzicionit.
Ajo që nuk vënë re kritikët e Ramës është se nuk është problemi në paratë e hedhura për investime, por në efektin që krijojnë ato dhe së dyti teknika e të ndërtuarit.
Në sasinë e parave të numëruara më sipër, duhet të shtosh edhe ato për sinjalistikën e rrugëve dhe këto besoj nuk janë pak.
Në një përcaktim dikur, kam shprehur habinë duke krahasuar Berishën me Ramën nisur nga profesionet e tyre. Më është dukur gjithnjë se Berisha është piktor dhe Rama kirurg. Kjo nisur nga operacionet e bëra për të ndërtuar diçka deri në preçizion.
Në tërësi, kur shoh mënyrën e të punuarit të tij, më duket si një muzhik i urtë dhe i fuqishëm që kërkon që një punë e bërë, kur shikohet në fund, të jetë e plotë. Shumica e kritikëve të tij talleshin kur në Tiranën që mori në dorëzim, filloi të mbillte pemë. Po tani, rreth pesëmbëdhjetë vjet pas asaj periudhe, sheh që Tirana thuajse në të gjitha rrugët e saj që janë zgjeruar thuajse dyfish, është mbuluar nga pemët.
Një traditë që ia ka futur në gjak pasardhësit të tij si një mësues i rreptë duke urdhëruar hyrjen në çdo cep të saj.
Natyrisht që në ndërtimin e saj, edhe Rama ka bërë gabime, por nuk është e vështirë të dallosh një leje të dhënë prej tij dhe cilësisë së saj nga paraardhësit. Duke përfituar nga ai lumë kredish që u morën në periudhën 2006-2008, vetëm ai detyroi ndërtuesit që t’i pajisnin pallatet me rrugica të vogla, apo me pemë. Duke inicuar kështu një edukatë të re ndërtimi.
Siç e theksova dhe në periudhën që flasim prej tij, janë bërë gabime. Po kritikët duhet të shohin përtej Tiranës për të kuptuar se çmenduria kombëtare në këtë fushë nuk është vepër e tij, por e atyre që qeverisën këto njëzet e pesë vjet. Hidhini një sy Farkës apo më tej për të kuptuar këtë çmenduri. Në historinë tonë, pas Ahmet Zogut, vetëm Rama është më i qarti në një punë që bën dhe që e shton vlerën e një vepre publike.
Vlera e një investimi publik, nuk matet vetëm nga sasia e parave të përdorura në të, por edhe nga qëllimi të cilit i shërben dhe nga teknikaliteti i përdorur. A ka krahasim me ata që e kanë bashkëshoqëruar këto njëzet e pesë vjet? Për mua, jo vetëm Berisha, Basha apo Meta e Nano, që nuk krahasohet dot gjëkundi me të, por asnjë.