Vettingu dhe Ministrat teknikë – Rama kërkesë Kuvendit, të hënën në 18:00 seancë e jashtëzakonshme

900

Kryeministri Edi Rama i është drejtuar me një kërkesë Kuvendit të Shqipërisë për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme.

Kërkesa e shefit të qeverisë ka përcaktuar që seanca plenare të mblidhet pasditen e së hënës (22 maj 2017).

Në seancën plenare pritet të votohen komisionet e vettingut, ndryshimet në qeveri me ministrat teknik, ndryshimet në kodin zgjedhor si dhe zgjedhja e kryetarit dhe nje anetari te ri ne KQZ.

Në bazë të marrëveshjes, PD do të propozojë 6 ministra, zv/kryeministrin dhe disa drejtori për të monitoruar dhe garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Njoftimi i Kuvendit

Bazuar në nenin 74 të Kushtetutës dhe në nenin 42 të Rregullores së Kuvendit, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama, i ka drejtuar Kuvendit një kërkesë të motivuar me shkrim për thirrjen e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm.

Kërkesa ka përcaktuar që thirrja e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm të zhvillohet ditën e hënë, më datë 22 maj 2017, në orën 18.00.

Rendi i ditës i seancës plenare do të përmbajë diskutimin dhe votimin e çështjeve për vënien në zbatim të Marrëveshjes Politike të datës 18 maj 2017, lidhur me:

-Votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për lirim dhe emërim të zëvendëskryeministrit dhe të 6 ministrave;

-Shqyrtimin dhe miratimin e paketës ligjore që ka lidhje me reformën zgjedhore;

-Miratimin e anëtarëve të pakicës parlamentare në 3 komisionet ad hoc të vettingut, si dhe caktimin e zëvendësuesve;

-Zgjedhjen e Kryetarit dhe një anëtari të KQZ-së.

 Në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe afatet e parashikuara në të, Kryetari i Kuvendit do të nxjerrë urdhrin për mbledhjen e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm dhe do të publikojë rendin e ditës./focusnews.al/




Këtë e pëlqejnë %d blogues: