Kushte të reja për lëvizjen e lirë në zonën “Shengen”

Bota Kryesore


Këshilli i Ministrave të BE-¬së dhe Parlamenti Europian ditën e djeshme kanë miratuar marrëveshjen e re për rregulloren e mekanizmit të pezullimit të heqjes së vizave. Pas kësaj marrëveshjeje, Shqipëria rrezikon t’i kufizohet lëvizja e lirë në zonën “Shengen”.

Rreziku i pezullimit te përkohshëm të lëvizjes së lirë mund të vijë nga numri i lartë i azilkërkuesve apo qëndrimi në mënyrë të parregullt në territorin e BE-¬së. Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian ka arritur me Parlamentin Europian marrëveshjen për aktivizimin e shpejtë të mekanizmit të pezullimit të përkohshëm të lëvizjes së lirë për vendet e treta që abuzojnë me liberalizimin e vizave, raporton “Panorama”.

Mekanizmi i pezullimit të lëvizjes së lirë do të aktivizohet së pari në rastet kur ka rritje të konsiderueshme të numrit të shtetasve të një vendi të tretë si për shembull Shqipëria, të cilëve u është refuzuar hyrja apo që kanë qëndruar në mënyrë të parregullt në territorin e BE-së, shkruan Panorama.

Rasti tjetër i mekanizmit të masave bllokuese do të aplikohet kur ka rritje të konsiderueshme të kërkesave të pabaza për azil dhe, së treti, mungesë të bashkëpunimit në marrëveshjet e ripranimit që kanë të bëjnë me kthimin e emigrantëve. Vizat mund të rivendosen me një vend të tretë edhe në raste të kërcënimeve të politikës publike, ose sigurisë së brendshme të BE-së në lidhje me shtetasit e vendit të tretë në fjalë.

Bazuar në këtë marrëveshje Komisioni Europian do të monitorojë situatën e vendeve që përfitojnë nga liberalizimi i vizave dhe i raporton Parlamentit dhe Këshillit nëse ka vend për rivendosje vizash apo jo. Pas një njoftimi nga një shtet anëtar, ose një kërkesë nga një shumicë e thjeshtë e vendeve anëtare, ose bazuar në raportin e vet, Komisioni Europian do të ketë një muaj kohë që të marrë vendim të rivendosë vizat për nëntë muaj për një vend të tretë. Ky vendim do të hyjë në fuqi automatikisht. Marrëveshja për këtë mekanizëm pritet të miratohet në seancën plenare të Parlamentit Europian javën e ardhshme dhe nga shtete anëtare për të hyrë më pas në fuqi./albeu.com/