Kuvendi, projekt binjakëzimi me BE-në: Meta: Demokracia ka nevojë për parlament të fortë

980

Një aktivitet me temë “Rruga e Shqipërisë drejt BE-së, sfidat dhe perspektivat”, është mbajtur sot në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë, në kuadër të projektit të Binjakëzimit, i financuar nga BE për fuqizimin e parlamentit shqiptar.

Projekti, që do të zbatohet bashkërisht nga parlamenti grek, italian dhe ai shqiptar, gjatë periudhës maj 2017-maj 2018, synon fuqizimin e kapaciteteve të Kuvendit për një përafrim më eficent të legjislacionit, për përmirësimin e rolit mbikëqyrës të tij, lidhur me punën e qeverisë dhe institucioneve të pavarura, për fuqizimin e autonomisë financiare dhe buxhetore, si dhe për të rritur transparencën dhe kapacitetet administrative.

Në fjalën hapëse të aktivitetit, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, shprehu nevojën e një parlamenti më të fortë.  “Kuvendi ka bërë përparime në kuadër të funksionimit të tij, por jemi të ndërgjegjshëm se demokracia në zhvillim që kemi ka nevojë për një parlament më të fortë”, u shpreh Meta.

Duke falënderuar BE-në për projektin e financimi për fuqizimin e Kuvendit, ai kërkoi që projekti t’i shërbejë sidomos përmirësimit të procedurave legjislative, por dhe kapaciteteve të komisioneve parlamentare, si dhe institucioneve që varen nga parlamenti.

Kryetari i Kuvendit e vuri theksin sidomos tek pavarësia financiare e këtij institucioni të rëndësishëm. “Kuvendi duhet të ketë më tepër pavarësi financiare nga qeveria, bazuar kjo dhe mbi praktikat më të mira europiane”, u shpreh Meta. Takimi u përshëndet dhe nga parlamentarë nga vendet fqinje, Greqia dhe Italia.




Këtë e pëlqejnë %d blogues: