Lamtumirë Leonora! Ne nuk të shpëtuam dot…

Opinion
Alma Ahmetaj /
Sa herë që fëmijët jetimë të Lonorës të të shohin në sy, uli sytë përdhe dhe mos guxo t’i ngresh më. Skuqu nga turpi… sepse turpi të mbeti ty!
Nëse nuk e ke vrarë ende ndërgjegjen tënde, ai shikim i pafajshëm i tyre do të ta vrasë automatikisht. Sepse ti vrave fëmijërinë e tyre!
Ti je fajtori! Ti që hesht, ti që nuk denoncon, ti që nuk mbron!
Ti, që mund ta kesh emrin, Alma, Elona, motra, vëllai, fqinja, policia, shteti, shoqëria…
Ti, ti vret çdo ditë!
E njihja Lonorën. Ia dija vuajtjet, ia dija dhimbjen. Punonte shumë, luftonte për të rritur 3 fëmijët e saj. Por, nuk pati kurajon të largohej nga ajo shtëpi që ishte shndërruar në një shtëpi torturash dhe dhimbjesh. Jetonte në Zakintho, bënte 2 punë në ditë. Ishte e rregullt, e sjellshme por gjithmonë melankolike.
Ata që nuk e njihni mirë, nuk e dinin se çfarë peshe mbante mbi shpatulla. Më dërgoi kushërira e saj një video. Pashë sesi bashkëshorti-përbindësh theu xhamat e shtëpisë për ta trembur, për ta poshtëruar, për ta vrarë…
Guxoi Leonora, shkoi në polici e denoncoi, por ai i mori jetën pak minuta pas denoncimit. Ai i ngriti pusi dhe e vrau. E vrau për fare!!!
Por nuk është ai kriminieli. Ai është bisha që udhëheq fatin e vet.
Krimin e bëjmë ne, njerëzit që mendojmë se kemi mendje, inteligjencë që na dallon nga bota shtazore. Krimin e bëjmë ne që nuk denoncojmë dhunën domestike me justifikimin se gjoja nuk ngatërrohemi në familjet e të tjerëve, dhe nga ana tjetër, nuk lëmë vend pa futur hundët dhe foto fb pa komentuar.
Krimin e kryejmë ne që edhe jemi në poste kyçe, shkojmë në punë sa për të marrë rrogën dhe nuk krijojmë, gjejmë, propozojmë alternativa të tjera për të ndalur këto duar gjakatare.
Krimi jemi ne, që nuk edukojmë bijat tona të mos heshtin por të largohen që pas shuplakës së parë. Krimi jemi po ne, që nuk edukojmë bijtë tanë të mos dhunojnë bashkëjetueset e tyre. Ne që qajmë 3 ditë dhe pastaj harrojmë shpejt, derisa të vijë viktima e radhës.
E pra, unë heshta këtë herë 3 ditë. Heshta në shenjë respekti të kujtimit të Lonorës, të cilën e njihja personalisht.
Por po në shenjë respekti për të, premtoj se nuk do të hesht më kurrë dhe zërin tim do ta shoqërojnë edhe shumë gra në të gjithë botën. Sepse unë dua ta çliroj veten nga kjo sëmundje e rëndë që quhet DHUNË.
Unë dua të jetoj në një botë ku fëmijët buzëqeshin dhe nuk kërkojnë mes lotësh nënën e tyre të vdekur nga duart e babait kriminel…
Unë votoj për jetën! Lamtumirë Lonora! Nuk do hesht më, që ti të mbetesh viktima e fundit e listës ogurzezë!