LEGJENDA E BUTRINTIT

Kulture

Nga ILIAZ BOBAJ /

Në shkallaret e Butrintit,
jam i vetëm këtë orë.
Befasisht nga lashtësia,
më fanitet një aktor.

Veshur hijshëm si për skenë,
për një rol në tragjedi,
porsi një jehonë e thellë,
më ushton zëri i tij:

-Gjithçka sheh në këtë kodër,
në çdo gur, në çdo ndërtim,
mundin, djersën, mendjen, artin,
jua lamë si trashëgim.

E dëgjoj si një fëmijë,
me kureshtjen ndezur flakë,
të mësoj pak për Butrintin,
kur jetoi kohën e artë.

Por ai zhduket si hije,
shuhet tej në thellësi.
Mbetem vetëm, mes Butrintit,
midis madhështisë së tij.

Qëmtoj copa lashtësie,
nëpër shekuj tej-tëhu.
S’ia mbledh dot gjithë historinë,
edhe pse e kam këtu.

– Ç’të bëj,-them me veten time,-
t’ia zë fillin të vërtetës?
Dhe nisem një udhëtim,
nëpër viset e legjendës…

* * *
Trojën e sheshonte lufta,
luftë e egër si në Trojë,
shpata priste në çdo anë,
tmerri nuk thuhej me gojë.

Dallgë flakësh si të marra,
ngriheshin vërtik drejt qiellit,
digjej, bëhej shkrumb e hi,
Troja, Qyteti i Diellit.

Vdekja, pa pikëz mëshirë,
e ndëshkonte si rrufe,
dëshmitar i tradhëtisë,
kali i drunjtë rrinte atje.

Jeta shuhej dhe qyteti,
humbte veten pak nga pak,
çdo gur, vënë me mund e djersë,
po mbytej me lotë dhe gjak.

Mes rrëmujës, ankthit, tmerrit,
s’kish më kuptim fjala pritje,
nëse kish një grimcë shpresë,
shpresa kishte emrin ikje.

Ata që shpëtuan jetën,
humbën përgjithmonë Trojën,
kur zinin Trojën në gojë,
fjala u plagoste gojën.

Të shpërbërë, të humbur, thyer,
ndërsa iknin në të kotë,
thirrën dhimbshëm, ngashënjyer:
-S’të dëgjuam, Laokoont…!*

* * *
Po jeta, sado të shuhet,
asnjëherë nuk fiket fare,
për të mbajtur shpresën gjallë,
lë përherë një copë dritare.

Ato ditë dhimbje dhe ankthi,
nëpër ujrat e Egjeut,
si mjelmë e shkathët mbi ujë,
shkiste varka e Eneut.

Gjendja e princit të tmerronte,
tek ikte në humbëti,
kush e pa, tha me dy fjalë:
pamja e tij pikonte zi.

Flokëtrazuar, çehreprishur,
fytyrëprerë, zemërvrarë,
shpirtkëputur, vështrimhumbur,
gojëkyçur, mjekërbardhë.

Ballërrudhur, buzëdridhur,
rrobashqyer, nofullngrirë,
vetulltkurur, sythelluar,
duarlidhur, këmbëmpirë.

Princi, humbësi i gjithçkaje,
kish marrë rrugën e mërgimit,
varka me kurriz mbi valë,
ikte, ikte perëndimit…

Veç lirinë kishte me vete,
miqtë, princeshën Andromakë.
Në sytë e saj të hutuar,
Troja ende digjej flakë.

Mos gjithçka ishte një ëndërr,
pyeti veten atje
dhe e ngriti lart vështrimin:
-O Zeus, ç’pate me ne?

Përdredhuan nëpër ishuj,
lopatat i rrahën shpejt.
Ku e kish fundin kjo ikje,
linin det dhe gjenin det.

Deti si një plak me huqe,
herë qetor, herë zemërak.
-Shkumëzo!- i thosh Zeusi,
Poseidoni ndizej flakë.

Si memec rrinte Eneu,
i zhytur në pikëllim,
sytë i mbante si të lidhur,
në një pikë, në perëndim.

Lanë pas ishuj të panumërt,
vendin me vështrim e matën,
bishtin e Peloponezit,
Qefalloninë, Itakën.

Një dem kishin marrë me vete,
në atë udhë të gjatë në det.
Një ditë e hodhën mes dallgësh,
pas e ndoqën si profet.

Demi me not u afrua,
në një gji mes gjelbërimit,
ku shkeli demi në tokë,
u dha urdhër i zbarkimit.

Të munduar, të cfilitur,
të pangrënë, të papirë,
të paveshur, të topitur,
ranë përtokë si të mpirë.

Lodhja e atij mundimi,
i kish brerë pak e nga pak.
Oh, kjo çlodhja sa e butë,
shtrati i saj i ëmbël mjaltë!

Princeshës, sa mbylli sytë,
në ëndërr i doli Troja,
e bukur, e mrekulluar,
aq sa të memecej goja.

Hop, u hodh e befasuar:
– Ku është Troja,- thirri,- ku?
Ah, më thuaj, princ Eneu,,
thuam, ku ndodhem këtu!

Princi me fjalë e qetoi:
-Mbërritëm në Iliri.
Janë trima, aq sa vlejnë,
një ilir, sa një ushtri.

Kur atdheu u bën zë,
për beteja të mëdha,
ta dishë, Andromakë, se thyhen,
më lehtë malet, se ata.

Janë të përkorë në mikpritje,
të shenjtë e kanë miqësinë,
kur betohen: ”Besa- besë!”,
perëndi kanë Ilirinë.

Ndërsa princi po rrëfente,
princesha brofi përpjetë:
-Ja atje, atje mes pemësh,
më fanitet një helmetë!

– Janë ilirët që po vijnë,
rri Andromakë në qeti,
tek këta njerëz fisnikë,
do të kërkoj miqësi.

* * *
Princi u prit me nderime,
ashtu siç pritet një mik.
Tha:- Kam dëshirë, këtij vendi,
t’ia vëmë emrin Butrint.

Hodhi sytë kodrës, liqenit
dhe fjala i dridhej gojës:
– Këtu të ngremë një qytet,
t’i ngjajë pakëz edhe Trojës.

Vendi si copëz parajse,
i ofroi gjithë bukuritë,
po dhe vendasit e miqtë,
s’ia kursyen mjeshtëritë.

Qyteti po përmasohej,
në kodrinën blerimshumë,
kokën ngrinte në majëkodër,
këmbët i lagte në lumë.

Ikte nata, dritëzimi,
binte mbi gjethet me vesë,
në liqen të Pelodesit,**
lante sytë çdo mëngjes.

Fushë e begatë e Kestrinës,***
zgjohej e para prej gjumit,
pemët gjethnajën e blertë,
krihnin në pasqyrë të lumit.

Kalldrëmi si luspa midhjesh,
shëtitoren shtroi me shtrojë,
në veri, Portë e Luanit,
zbukuruar si në Trojë.

U ngrit tempulli i Asklepit,
hyu i mbrojtjes, mjekësisë,
pak më tej amfiteatri,
arti në mes hijeshisë.

Kështjella me dy vështrime,
nga liqeni dhe nga deti,
nga larg, kur i hidhje sytë,
ngjante si kurorë mbreti.

Pusi i nimfave, tri çezmat,
bukurisë i vinin pikë,
banjat me shije të hollë,
si pikturë me mozaik.

Teatri i madh antik,
i ka parë gjithë mrekullitë,
thonë, tragjeditë e Eskilit,
u vunë në skenë në Butrint.

Vështruesit në shkallare,
gjatë e gjatë duartrokitën,
se ilirët brez pas brezi,
e deshën artin si dritën.

Edhe sot ndihet jehona
e Orfeut helm e pikë,
që thërret sa tundet dheu:
– Po ku je, Euridikë!

Ndërsa rritej, përmasohej,
puna sillte mirësitë,
mjediset u zbukuruan,
me shtatore perëndish.

Qyteti, në të gjithë pellgun,
rrezatonte rreze drite,
qenë të famshme për kohën,
lojrat e tij olimpike.

Çdo fituesi, shtatoren,
ia ngrinin me krenari,
njerëzit e adhuronin,
si të ishte perëndi.

Shkolla arti, mjeshtërie,
jetën e tij e vrrullonin,
dihet, nga kjo shkollë doli,
Dea, koka e Apollonit.

Është ajo, që para vitesh,
u rikthye në atdhe,
në mërgimin e tejdetit,
nuk i rrihej më atje.

Tani rri si zonjë e rëndë,
në Muzeun Kombëtar,
arti i saj, maja e artit,
mjeshtëria, krejt e rrallë.

Kush pas saj s’u mrekullua,
në muzetë perëndimore?
Nëse aty qe e bukur,
në atdhe është madhështore.

* * *
Një mbrëmje, kur Andromaka,
ishte ulur në bedenë,
trupin ia ngjethi mornica,
një zë kënge, mall e brengë.

Qe një tufë nusesh të reja,
me shtamba balte në duar,
rrugës, si thëllëza mali,
shkonin duke këngëzuar.

.