Leku është dobësuar në ditën e sotme përkundrejt shportës së monedhave kryesore. Monedha e përbashkët është çmuar përkundrejt lekut edhe në ditën e sotme (e treta radhazi pas njëzet ditëve në rënie), ku sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë 1 euro këmbehet në tregun vendas me 132.59 lekë, rreth 0.2 lekë më shumë se një ditë më parë.
Forcim ka njohur edhe dollari, i cili brenda një javë ra me 3 lekë, i ndikuar edhe prej nënçmimit që po pësonte në bursë ndaj euros.
Ndërsa sot, pas ditësh në rritje në tregjet ndërkombëtare, monedha e përbashkët është zhvlerësuar, ku 1EUR këmbehet me 1.14 USD.
Të martën, Banka e Shqipërisë raportoi një zhvlerësim të të gjitha monedha kryesore, ndërsa euro kapi nivelin më të ulët që nga gushti i 2009-s duke u këmbyer poshtë 132 lekëve. Ekspertët e argumentuan me qarkullimin e lartë të valutës gjatë fundjavës së zgjedhjeve.
Euro ka pasur një vit të dobët në vend duke shënuar në vazhdimësi rekorde të ulëta që nuk i kapte që 2009-a.
Sipas analistëve të tregut, në zhvlerësimin e euros ka ndikuar oferta në rritje në valutë, që ka ardhur kryesisht prej projektit TAP dhe turizmit, por edhe prej aktiviteteve të jashtëligjshme.