Shqiptarët, nën qiellin e zymtë politik

957

Nga Azem PARLLAKU  /

Profesori i shkencave politike dhe historiani amerikan Howard Zinn, duke shkruar për disa nga problemet që e shqetësojnë shoqërinë njerëzore, midis të tjerave thotë: “Padëgjueshmëria qytetare nuk është problemi i jonë. Problem i jonë është dëgjueshmëria qytetare. Problemi jonë është se njerëzit e tërë botës e respektojnë diktatin e liderëve, dhe miliona janë të vrarët për shkak të kësaj dëgjueshmërie. Problemi jonë është se njerëzit janë të dëgjueshëm, kurse burgjet janë të mbushura me vjedhës të vegjël, ndërsa hajdutët e mëdhenjë e udhëheqin vendin”.

Në Shqipëri sapo u mbyllën zgjedhjet e përgjithëshme të radhës. Politikanët, veçanërisht liderët e partive, e “pasuruan” të folurën me batuta dhe metafora, dhe në fund pjesa më e madhe e tyre, janë ata që populli do t’i dëgjojë. Teksa harta elektorale është pothuajse njëngjyrëshe, ka nisur lufta brenda kampit kundërshtarë. Kjo betejë brenda llojit, duket qartë, që ka filluar shumë më herët. Manipulimi i konfliktit përmes “përça dhe sundo”, u’a ka lehtësuar fitoren kampit që sot është në paqe si kurrë ndonjëherë.

Për manipulatorin, Judaizmi është njëlloj i vlefshëm si Kristianizmi dhe Islami; “e majta” në politikë është njëlloj e rëndësishme si “e djathta” politike. Ndaj duke qenë të shumë të dëgjueshëm, shqiptarët deshi Zoti nuk harruan se kanë nevojë për dy dogma që t’i kundërvinin ato ndaj njëra-tjetrës. Kanë kaluar 27 vjet, nga koha kur midis dy gjendjeve të mendjes zgjodhëm atë e cila do të na kthente në liri. Në ato vite na u dha mundësia që të hidhnim hapin jashtë burgut te liria mendore, emocionale dhe shpirtërore. Sot jemi askund!  Ne dhe ëndërra “E duam Shqipërinë Europiane” kështu do të mbetet përsëri. Përse nuk ka ndodhur ende shpresojmë të “ndodhë”; nevojitet dëshira. Mundësia është dhe jemi duke u kacavjerrë rreth kësaj mundësie.

Ne jemi në një periudhë të ndërmjetme nga vibrimi i frikshëm i vjetër, te rilindja e vibrimit të ri të mundësive. Në kohën kur qeveris e djathta problemi janë fëmijët e kupolës qeverisëse, në kohën kur qeveris e majta fëmijë e kunetër bëhen bashkë. Ne e zotërojmë atë nivel të nëndërgjegjes, që të mos jemi më të dëgjueshëm.  Shumica nga shqiptarët që nuk shkoi për të votuar, e ka kuptuar se burgu i ofruar nga ata që kanë qeverisur dhe do të qeverisin, nuk është gjë tjetër veçse bashkimi i prodhimit të energjive negative, asgjë më tepër.

Çelësi për të shkërmoqur këtë burg shpirtëror është zgjimi dhe shpërthimi i ndërgjegjes sonë në pikën ku kursi i vibratorit të jetë mundësisht, aq i lartë dhe i fuqishëm, saqë kolektivisht do të çmontonte frekuencën bllokuese. Ata, politikanët që sot i gëzohen fitores dhe humbjes duhet të kuptojnë se, populli i ka bojkotuar, pasi është i demoralizuar, i frikësuar dhe i dëshpëruar. Shqiptarët e dëshmuan se; Janë politikanët ata, që po punojnë që të gërryejnë drejtimin tonë në rrugën e cila na çon si qytetarë në Europë.

Dëshpërimisht, duke mos votuar, i dhanë fund sintezës të frymëzimit të “elitës” politike nëpërmjet përdorimit të turmave. Refuzuesit, ndryshe mosvotuesit e kanë braktisur linjën se besimet politike mund të përfaqësojnë dhe shprehin interesin e tyre. E djathta dhe e majta, që të dy platformat politike që u qasen shqiptarëve nuk është se dallojnë shumë. Që të dy platformat kanë treguar se kanë në program kontrollin nga një pakicë “elitare”. As “Rilindja”, as “Republika e Re” nuk na e dhanë iluzionin e të vërtetave. Prej përdorimit të filozofisë së ndryshuar të Hegelit, “Rilindja” dhe “Republika e Re”, e kanë manipuluar kaq shumë qytetarin shqiptarë, saqë do të duhej një bibliotekë me libra për t’a treguar të plotë këtë histori. Madje, përveç kësaj, ndërlidhjet dhe kryqëzimet e referencës së emrave dhe fraksioneve do të ishin tepër të ndërlikuara nga vështirësia për t’u bërë të kuptueshme. Dhe kush janë liderët e politikës?

Një elitë e vogël e cila është koordinuar për të mbetur në pushtet. Ndaj, kur shohim se si mbështesin njëri-tjetrin, kjo nuk ndodh për shkak se ata janë të çorientuar ose të çmendur. Ata janë krijuesit e “anëve” opozitare, të cilat pastaj mund të thirren në konflikt për të luajtur një rol dytësor kundër tjetrit dhe për të krijuar, tezën kundër antitezës. Tre emrat, të cilët mbizotërojnë rrjetin e “elitës” politike në Shqipëri, janë Sali Berisha, Edi Rama, dhe Ilir Meta. Pas tyre, qëndrojnë oligarkia e strukturuar dhe e përqëndruar saktësisht dhe që punon për një qëllim të përbashkët.

Fatkeqësisht të tre partitë politike; Partia Socialiste, Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim, i kanë ftohur shpirtërisht shqiptarët. Me kapriçot e tyre, Rama, Berisha, Meta, kanë bërë që, shqiptarët të mos besojnë më, ndaj pjesa dërrmuese e tyre duan të ikin. Këto ditë po shohim si; Partia Socialiste feston me administratën, Lëvizja Socialiste për Integrim tenton të paraqitet sa më megallomane dhe demek si ekstra përfaqësuese, fraksionistët e Partisë Demokratike i gëzohen humbjes, e në fakt në realiteti nuk është kështu. Darka tek “Pazari i Ri”, dhe marrëveshja Rama-Basha, u treguan shqiptarëve se; Sistemi politik ka të njëjtën arkitekturë dhe ngjashmëri me sistemin ekonomik, por me ndryshimin e vetëm se, qëllimi i sistemit ekonomik është fitimi, kurse në sistemin politik është pushteti.

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: