Letra/ “As kafshët nuk e sulmojnë nënën e vet, veç mbesa jonë e kryen një akt të tillë”

Aktualitet

Nga Nikoleta Kovaçi

Është një vendim gjykate, i Gjykatës së Shkallës së Parë që pak ditë më parë ka dhënë një vendim ku mësohet se ka kërkuar dënimin me 6 muaj burg për këngëtaren Eda Zari! Ky vendim i gjykatës është botuar në media dhe më pas edhe reagimi i këngëtares, reagim që ka ngjallur debat të madh në familjen e dajave të saj dhe njëkohësisht të vëllezërve të nënës së saj. Ndaj kësaj të fundit, në fakt, është lëshuar një urdhër mbrojtjeje pasi ajo e kallëzoi të bijën për ushtrim dhune brenda ambienteve të banesës së saj. Mirëpo, familja Lela, vëllezërit e Zhaneta Zarit, nënës së Eda Zarit, janë vënë në dijeni të konfliktit verbal vetëm kur kanë lexuar shkrimet në media. Në redaksinë e gazetës “Shekulli” erdhi edhe një letër e dërguar prej tyre, pasi ata ndjehen të fyer dhe të prekur thellësisht nga akti i mbesës së tyre ndaj motrës së tyre!

Letra

“Të nderuar miq e dashamirës të familjes sonë Lela! Unë që po ju flas jam vëllai i Zhaneta Zarit dhe, fatkeqësisht, daja i Eda Zarit! Jemi revoltuar për një problem të rëndësishëm sepse Eda Zari kohët e fundit është sjellë në mënyre të çuditshme me nënën e saj, jo sikur ta kishte nënë, por sikur të kishte një egërsirë përpara duke e dhunuar kërcënuar, bërë presion e duke i vënë duart në fyt dhe, më e keqja, është sepse ajo ka dhe një shok i cili edhe ky ka dhunuar motrën tonë në shtëpinë e saja deri sa kanë dalë komshinjtë dhe janë përballur me këtë situatë duke shpëtuar motrën tonë. Se kush është ky shok ne do t`i kërkojmë llogari asaj por edhe atij, sepse duhet ta dijë që Zhaneta nuk është  vetëm, se është një batalion i madh me djem e vajza që e duan atë hallën e tyre dhe e respektojnë se e kanë në vend të nënës e të gjithçkaje dhe nuk pranojnë që ta preki kush.

Unë vëllai i Zhanit, jam shumë i indinjuar sepse nuk kam ditur gjë që kjo vajzë ka ardhur e ka shqetësuar motrën tonë, nënën e saj, duke i vënë dorë duke i kërkuar llogari e bërë presione të ndryshme, saqë kur vinim ne në shtëpi ta shikonim si ishte, njëherë unë njëherë vëllai tjetër apo nuset, gratë tona që e bëjmë me radhë, e gjenim motrën tonë në gjendje kome. I thoshim, se çfarë ke, ajo nuk na tregonte. I matnim tensionin, e shikonim që ishte 22! E merrnim e çonim në spital tek urgjenca që kemi dëshmitarë doktorët, infermierët etj, që na njohin, sepse kemi vajtur disa herë për këtë problem. Prandaj, ju lutem shumë, nuk po ju them gjëra të tjera se çfarë ka bërë kjo vajzë, që po të jetë e nevojshme ne do t`i themi dhe ato por duam nga drejtësia, nga njerëzia, që mos të cenohet motra jonë, Zhani Zari dhe familja e madhe Lela, që jemi një familje e urtë dhe familje e nderuar artistësh! U jemi shumë mirënjohës të gjithë atyre njerëzve (Diaspora, Kosovë, Maqedoni e kudo që ndodhen) që kanë folur e shkruar për ne dhe motrën tonë, e që dënojnë sjelljen e Eda Zarit. I faleminderit shume për respektin! Është kërkesa jonë që, kjo vajzë të mos na e shqetësojë më motrën tonë sepse edhe ne jemi njerëz, jemi të urtë e të butë, po të mos harrojë se edhe ne kemi gjak në trup e mund të bëjmë ndonjë budallallëk, por nuk na i lejon natyra jonë e butë që kemi, që të merremi me një njeri që nuk e ka emrin njeri. Edhe kafsha që është kafshë e do këlyshi të ëmën, shkon dhe i rri pranë saj, merr qumështin e saj, pasi e ka rritur e ledhatuar, ndërsa ajo i duket nëna e saj, që e ka rritur me kaq dashuri e me mundime, sikur ka një egërsirë përpara.

Edhe njëherë ju lutem, ne duam që motra jonë të jetë sa më e lumtur e në rregull me jetën e saj. Kam edhe një problem tjetër, karshi  kësaj shoqes Eda Zari, e cila e quan motrën tonë të sëmurë me sklerozë. Tani unë nuk e di se kush e ka sklerozën, a e ka motra jonë, apo e ka ajo vetë që ka dhunuar motrën tonë. Prandaj ju lutem shumë, motra jonë në moshë thuajse 80-vjeçare është në gjendje të ballafaqohet me çdo mjek e me çdo psikiatër për të vërtetuar që ka apo nuk e ka këtë sëmundje që i shpif e bija e saj publikisht. Ju lutemi shumë pra na e plotësoni këtë, jo dëshirë, por kërkesë, që ta vërtetojmë këtë sepse kjo është një fenomen që rrallë dëgjohet në botë, që vajza t`i vërë dorë nënës së saj si edhe ta përçmojë e shpifë gjëra të paqena për të mbuluar ato të ligat e saja.

Sot motra jone ndodhet në spital ku e shtruam urgjent dhe sapo ka përfunduar ndërhyrja qe i bënë mjekët në sallën e operacionit, që kësaj radhe problem tepër shqetësues është zemra. Ne te gjithë jemi aty edhe vajza e madhe e motrës sonë si gjithmonë e kujdesshme. Po ku është kjo Eda Zari, ajo që pretendon se e do shumë familjen dhe se ajo është shumë e shtrenjtë për të?!!!Po e pyes: Sa e shtrenjtë është nëna jote moj vajzë??? Aq sa edhe një telefonatë nuk i bën dot ta pyesësh a është gjallë apo ka vdekur…? Turp! Ju faleminderit! Ahmet & Fatmir Lela, në emër të të gjithë familjes sonë kjo kërkesë/deklaratë”.