Lila e mbyll me gol te Pas Janina

Sporti

Fundjavë fantastike për futbollistët shqiptarë që luajnë në Europë. Andi Lila dhe Ergys Kace lanë shenjën e tyre në kampionatin grek me nga një gol të rëndësishëm, ndërsa Sokol Cikalleshi dhe Armando Sadiku nga bombera u kthyen në njeriun asist për skuadrat e tyre. Lamtumirë më të bukur për Andi Lilën nga Pas Giannina nuk mund të kishte. Në ndeshjen e tij të fundit me skuadrën greke pasi sezonin e ardhshëm do të luajë në kampionatin azer, futbollisti i kombëtares kuqezi realizoi një gol shumë të bukur.

Në javën e fundit të Superligës greke, Lila me një gjuajtje fluturimthi nga distanca i dha avantazhin 1­0 Pas Gianninës në sfidën ndaj Aekut të Athinës, por nuk mundi t’i jepte dot fitoren ekipit të tij pasi në pjesën e dytë skuadra kryeqytetase barazoi rezultatin. Ky ishte goli i 9­të me fanellën e Pas Gianninës për 31­vjecarin kavajas i cili sezonin e ardhshëm do të provojë një aventurë të re në Azerbajxhan. Të shohësh Ergys Kacen të realizojë një gol me kokë rrallë ndodh.

Mesfushori shtatshkurtër me një finalizim shumë spektakolar, i dha avantazhin 1­0 Paokut të Selanikut në sfidën ndaj Kerkyras së Korfuzit, takim që u fitua me shifrat 5­1 nga skuadra e futbollistit shqiptar. Kace i cili ka rifituar vendin e tij në formacion te Paoku tashmë përgatitet për të dhënë kontributin e tij te skuadra selanikase në play­offin e Championsit, pasi Paoku e mbylli kampionatin në vendin e 2-të. Në Turqi Sokol Cikalleshi me dy asiste ndihmoi Akhisar Belediye të merrte një fitore me rezultatin 0­-2 në transfertë përballë Kasimpasa duke hedhur një hap tjetër të sigurtë drejt mbijetesës.

Bomberi kavajas falë aftësive të larta teknike që zotëron, dominoi mbrojtësit kundërshtarë në dy raste duke ftuar në pasim fillimisht Vaz Te dhe më pas Adin për dy golat e fitores së Akhisar­it. Falë Paolo Tramezzanit dhe mbi të gjitha Armando Sadikut, Lugano fluturon drejt Europës në Superligën zvicerane. Në fitoren 5­t rradhazi të ekipit të tij, sulmuesi i kombëtares shqiptare bëri njeriun asist me Sadikun që i shërbeu golin e fitores mesfushorit Mariani në transfertën e vështirë ndaj Grasshoppers të cilën Lugano e fitoi me rezultatin 0­1. /Supersport/