Publicisti Fatos Lubonja nuk mban më. Në një shkrim për gazetën Panorama, ai thotë se ‘rilindasit’ janë raca më bastarde e këtyre 25 viteve demokraci.
“Shikoni historinë e rrahjes së protestuesve te Parku i Liqenit. Shkurt, me dhunë, pa dhunë, ka shumë njerëz që të thonë se rilindasit, veçanërisht pasi morën edhe Bashkinë e Tiranës me Veliajn, po shfaqen si raca më bastarde e politikanëve që ka nxjerrë Shqipëria këta 25 vjet”.
“Vështroni rastin e fundit të Eskobarit të Ballkanit se si e shpëtuan nga duart e policisë europiane pa pikë turpi dhe nuk thonë asnjë fjalë. Shikoni se si tallen pasi u është zbuluar se kanë sjellë në mënyrë të paligjshme në zyrat e shtetit një aparat përgjimi të qytetarëve. Shikoni se si, pasi Gjykata Kushtetuese ka dhënë provën finale se deputeti i tyre, Kokëdhima, ka marrë një numër të pafundëm tenderësh në kundërshtim me ligjin, akuzojnë drejtësinë, në vend që të kërkojnë procedimin penal. Shikoni se si nuk u zverdhet dhe as u skuqet fytyra kur kryebashkiaku i zgjedhur prej tyre në Kavajë, deklaron se nuk e mban mend pse është dënuar në Gjermani”.
“Shkurt, rilindasit po i kalojnë limitet e vënies në provë të durimit tonë. Gjithmonë e më shumë ata po na sjellin ndërmend fjalën e urtë, por ndjellakeqe: Kur mbaron fjala, gjykon palla”.
Sipas Lubonjës, e vetmja rrugë “është bashkimi i të gjithë forcave që refuzojnë këto banda deri në atë pikë sa të formojnë një masë kritike, e cila, edhe nëse nuk arrin të marrë pushtetin, të bëhet sa më parë e fuqishme sa të imponojë ndryshime rrënjësore edhe brenda vetë këtyre bandave”.