Luiza Gega padyshim po tregon formën e mirë, teksa ka fituar garën e 3 mijë metrave me pengesa në Kampionatin Evropian të Atletikës që po zhvillohet në Krakow të Polonisë.
POLONI – Luiza Gega padyshim po tregon formën e mirë, teksa ka fituar garën e 3 mijë metrave me pengesa në Kampionatin Evropian Ekipor të Atletikës që po zhvillohet në Krakow të Polonisë. Atletja shqiptare ka fituar në divizionin e tretë të garës, teksa e ka mbyllur me kohën 9:17.31.
Me këtë fitore, Gega barazohet me kampionen bullgare Ivet Lalova-Collio me 11 fitore në historinë e kampionateve të ndryshme evropiane, teksa dy herë ka dalë në vendin e dytë. Veç suksesit, Gega ka vendosur edhe rekord për femrat me kohën e saj në këtë event, duke lënë pas izraeliten Adva Cohen. Gega ka kaluar rusen Yuliya Zaripova, me këtë të fundit që në 19 qershorin e 2010 në Bergen e mbylli me 9:23:00.
Në këtë event që po zhvillohet prej ditësh, Gega i ka shtuar edhe 15 pikë të tjera skuadrës shqiptare që po merr pjesë në Kampionatin Evropian të Atletikës.
Kujtojmë se pak ditë më parë Gega fitoi edhe në garën e 5 mijë metrave, teksa dita e sotme ishte kryesore për atleten kuqezi, që fitoi në disiplinën e saj në 3 mijë metra me pengesa.