Një mega-operacion antidrogë është organizuar nga Policia Italiane, që kryer plot 267 arrestime si dhe ka sekuestruar më shumë se 1 ton drogë.
Nga 267 të arrestuar, 250 janë burra dhe 17 janë gra. 133 janë italianë dhe 134 janë të huaj, mes të cilëve edhe shqiptarë. Ndërkaq, janë konfiskuar: 60 kg kokainë, 4 kg heroinë, 805 kg hashash, 300 kg dhe 50 bimë marijuanë dhe 70 gr drogë sintetike dhe variante të saj.
Operacioni i koduar “Pusher2” u krye nga 103 skuadra policie, të koordinuara nga Shërbimi Qendror Operativ i Drejtorisë Qendrore të Antikrimit kundër trafikut të drogës.
Njësia e Antidrogës zbuloi një laborator që shërbente për magazinimin, trajtimin dhe paketimin e drogës, kryesisht marijuanë.
Ndërkohë, më shumë se 43 kg kokainë u zbuluan në një furgon të vogël dhe në një makinë të vogël që u zbulua nga hetuesit në Romë. Makinat ishin modifikuar, u ishte ndërtuar një ndarje sekrete prej një shqiptari që ra gjithashtu në pranga. /E.SH/