Mesazhi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano, drejtuar qytetarëve, për më shumë bashkëpunim, mbështetje dhe besim të ndërsjellë!
Të nderuar bashkëqytetarë,
Ju që në përditshmërinë tuaj, mundoheni me ndërgjegje dhe përgjegjësi qytetare të ndërtoni një jetesë të ndershme për veten dhe familjet tuaja.
Me anë të këtij mesazhi, dua t’ju shpreh falënderimin dhe nderimin më të lartë të gjithëve ju që mbeteni mbështetja dhe vlerësuesi më i drejtpërdrejtë i veprimtarisë së Policisë së Shtetit.
Policia e Shtetit është angazhuar me të gjithë kapacitetin e saj njerëzor dhe logjistik për t’u përballur dhe për të goditur me vendosmëri krimin e organizuar dhe çdo dukuri, grupim apo ata individë që lidhen ose janë pjesë e integruar e krimit në përgjithësi. Kjo përballje është luftë pa kthim e pa kompromis, për të arritur rezultatin që e presim bashkërisht: një jetë të denjë për të gjithë dhe ndaj të gjithëve.
Një shoqëri e çliruar nga çfarëdolloj paragjykimi apo kompleksiteti është ajo shoqëri që mbetet në çdo kohë e angazhuar përkrah organizatave ligjzbatuese dhe Policisë së Shtetit. Nëse do të besojmë pa mëdyshje tek njëri-tjetri, ju sigurojmë pa asnjë hezitim, se rrugët e krimit do të jenë gjithmonë e më të rrezikuara, pavarësisht se krimi mundohet të gjejë shtigje, forma dhe mënyra më të sofistikuara për të mbijetuar.
Analizat e punës që zhvilluam në çdo qark të vendit, nuk kishin aspak për qëllim radhitjen e sukseseve dhe trumbetimin e tyre si triumfe ose propagandë deliruese nëpër media, por nxjerrjen në pah të mangësive, me qëllim ndreqjen e tyre, gjetjen e metodave më rezultative për të goditur krimin, me të gjithë fuqinë që na jep ligji, si edhe rikonceptimin e qasjes ndryshe dhe të një marrëdhënieje të re me qytetarët nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit.
Ndaj le të shfaqemi gjithmonë e më të shumtë në numër, duke rritur shkallën e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe për rrjedhojë më të bashkuar në kauzën që na përfaqëson bashkërisht, duke i dhënë frymë dhe energji pozitive përmbushjes së qëllimit tonë të përbashkët, me objektiv kryesor mbrojtjen e jetës.
Bashkërisht jemi një forcë madhore që në emër të së drejtës për të ndërtuar jetën që meritojmë, shndërrohemi në një potencial të tillë që dobëson e kthen në rrënojë, çdo portë a strehë ku ka zënë vend pamja më e papranueshme për shoqërinë tonë, kriminaliteti, kjo dukuri të cilën vizioni ynë i përbashkët, nuk do ta njohë dhe ta pranojë si një nga gjymtyrët që kërkon të na zhvendosë drejt së ardhmes.
Faleminderit!
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
Gledis Nano