Meta: Shtyrja të afatit të regjistrimit të partive, kontribut për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor

Politika

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta në një prononcim për mediat gjatë një takimi me strukturat e LSI në Fier ka deklaruar se, çdo përpjekje, e cila synon t’i japi mundësi, edhe opozitës në mënyrë të veçantë, që të përfshihet në procesin zgjedhor dhe në zgjedhjet e ardhshme, duhet konsideruar si pozitive dhe si konstruktive.

I pyetur për 19 prillin si afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore dhe letrën e dërguar në KQZ nga PS dhe LSI , Meta tha se, “besoj që kjo kohëzgjatje, ose kjo përpjekje për të vendosur një afat të ri për regjistrimin e partive dhe të koalicioneve, është një kontribut që jepet për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe njëkohësisht një mundësi për të gjithë që të kontribuojnë për një marrëveshje bashkëpunimi, e cila krijon kushte tërësisht normale dhe konstruktive për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme”.

Kjo është një përpjekje për t’i dhënë më shumë kohë pa asnjë diskutim jo vetëm Partisë Demokratike, por edhe partive të tjera të opozitës, dhe të gjitha forcave politike për shkak të zhvillimeve të deritanishme për të bërë përfundimisht, jo vetëm regjistrimin në këtë proces zgjedhor, por edhe zgjedhjen e tyre sipas koalicioneve që dëshirojnë pasi në qoftë se do të merrnim në konsideratë këtë kritikë, atëherë do të ishte e pamundur formalisht për opozitën për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme”, tha Meta.

I pyetur për emrin e kandidatit për President, dhe për lajmin e disa mediave të cilat shprehen se në një bisedë me kreun e Partisë Socialiste, z. Rama, Meta ka nxjerr emrin e Sali Berishës për kandidat për President, Meta u shpreh se, “natyrisht që nuk ekziston asnjë emër i përveçëm pasi edhe për çështjen e Presidentit ne kemi shprehur vullnetin për dialog dhe për zhvilluar një proces bashkëpunues dhe mundësisht konsensual me opozitën. Është një tjetër tregues i përpjekjeve për normalizimin e situatës politike në vend dhe sidomos të procesit zgjedhor”.

I pyetur nëse do të ketë koalicion PS-LSI në zgjedhjet e 18 qershorit, Meta u shpreh se, “kjo nuk është çështja më e rëndësishme. Vendimtare mbeten standardet e zgjedhjeve. Procesi gjithëpërfshirës zgjedhor dhe i gjithëpranuar dhe për këtë nuk do të reshtin përpjekjet edhe në ditët e ardhshme në mënyrë që opozita të përfshihet në këtë proces. Kjo ka qenë edhe arsyeja që unë i kam dërguar edhe një letër Kryetarit të Partive Popullore, z. Daul, për të kërkuar ndihmën e Partive Popullore për të rritur mirëbesimin midis palëve në interes të një procesi zgjedhor që meritojnë qytetarët shqiptar si qytetar evropian, por që meriton edhe hapi tjetër që duam të hedhim të gjithë, ai i çeljes së negociatave me BE”.

I pyetur nëse vazhdon t’i qëndrojë idesë së krijimit të një qeverie “besimi”, Meta theksoi se, “vazhdoj t’i qëndroj idesë se duhet patjetër t’i japim besim të gjithë qytetarëve shqiptarë për një proces të dejtë, për një vend evropian, për zgjedhjet e ardhshme dhe për këtë duhet bërë çdo përpjekje, si nga qeveria aktuale dhe mazhoranca aktuale, por është e rëndësishme që këto përpjekje të bëhen edhe nga opozita përmes dialogut dhe kuptohet edhe tolerancës reciproke”.

I pyetur nëse do të zhkojë në zgjedhje pa opozitën, Meta tha se, “unë këmbëngul që PD duhet të përfshihet në dialog dhe njëkohësisht nënvizoj të rëndësishëm çdo përpjekje për të afruar dialogun dhe për këtë shpresoj që edhe Partia Popullore Evropiane të japi kontributin e saj, pasi Partia Demokratike i takon kësaj familje mjaft të rëndësishme në Evropë, që e ka ndihmuar mjaft Shqipërinë dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, dhe natyrisht nuk dua të mendoj dhe të imagjinoj zgjedhje pa opozitën. Por dhe as nuk mund ta pranoj dhe as nuk mund ta mendoj që opozita gjithashtu nuk do të bëj përpjekjet e saj për t’u përfshirë në këtë proces përmes dialogut”.

I pyetur nëse ka një listë paraprake të kandidatëve për deputetë të LSI-së në Fier, Meta u shpreh se, “nuk kemi sepse ende nuk kem hyrë në këtë proces, por sigurisht që kjo nuk është më e rëndësishmja”./ATSH/