Ministri grek Kameno: Italia dhe Spanja kanë radhën po dolëm nga eurozona

Greqi

kameno i vogelAthinë – Ministri grek i Mbrojtjes Panos Kamenos ka deklaruar për të përditëshmen gjermane “Bild” nëse Greqia del nga Eurozona, atëherë radhën do ta kenë Italia dhe Spanja. Panos Kamenos, i cili është në qeverinë Tsipras pas koalicionit të Syriza-s me Grekët e Pavarur, kërcënon kështu për herë të dytë brenda pak ditësh Bashkimin Europian, pasi javën e kaluar tha që do të niste për në Berlin emigrantët nëse Greqia përjashtohej nga monedha e përbashkët.

“Nëse shpërthen Greqia, Spanja dhe Italia do të kenë radhën, e më pas edhe Gjermania!

Prandaj duhet të gjejmë një mënyrë brenda eurozonës, por kjo zgjidhje nuk mund të jetë që grekët të vazhdojnë të paguajnë”, citohet Kamenos në “Bild. Ministri i Mbrojtjes propozoi që njëlloj si me detyrimet e Gjermanisë pas Luftës II Botërore, Greqia kishte nevojë për një “qethje” të borxheve dhe jo program shpëtimi. Ai ka kritikuar edhe ministrin gjerman të Financave, Volfgang Shojble, për ndërhyrjet e shpeshta për çështjen greke, duke bërë deklarata çdo ditë për Greqinë.