Ministri Kotzias: Zgjidhim problemet me Shqipërinë

Greqi

foto-77-2

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias ka deklaruar se Athina mbështet integrimin europian të Shqipërisë, por Tirana zyrtare, nga ana e saj duhet të përmbushë kushtet e kërkuara, midis tyre edhe respektimi i të drejtave të minoritetit grek.

I pyetur në konferencën e përbashkët të shtypit me homologun e tij gjerman, Steinmeier, për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, të dy diplomatët u janë referuar në fillim marrëdhënieve me Ankaranë dhe lojërave politike me Traktatin e Lozanës, të cilat, siç ka theksuar zyrtari gjerman nuk janë zgjidhja e duhur politike.
“14 ditë më parë unë isha në Turqi dhe zhvillova bisedime me ministrin e Jashtëm, kryeministrin dhe presidentin, për emigracionin dhe çështjet e brendshme. Sigurisht që i shpreha qëndrimin tonë mbi Traktatin e Lozanës, pozicionin tonë të palëkundur se ai traktat nuk mund të vihet në dyshim nga askush”, tha Frank-Walter Steinmeier. Kotzias ka theksuar se qeveria “Tsipras” do që të zgjidhë në mënyrë sa më të mirë të mundshme dhe produktive, problemet që vijnë nga e kaluara me Shqipërinë, teksa ka përmendur edhe krijimin e 6 grupeve të konsultimit, nën përgjegjësinë e Sekretarëve të Përgjithshëm të të dy shteteve, për të gjetur zgjidhje të pranueshme, si për këto probleme, ashtu edhe për ato që përcaktojnë të ardhmen.
Kotzias ka thënë se, për fat të keq, në Shqipëri ka një tendencë në rritje të nacionalizmit në prag të zgjedhjeve.
“Rekomandimi dhe inkurajimi im për të gjithë – ka shtuar Kotzias, – është që të ulim tonet, të biem dakord në një rrugë europiane, të mund të zgjidhim menjëherë problemet tona, duke mos i lejuar ato të ndikojnë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë”.
“Do të duket edhe më 12 dhjetor, në konkluzionet e KE-së, se ne duam integrimin e Shqipërisë në BE. Duam fqinjë europianë rreth nesh, sepse kështu kemi përfitim, por duhet veçse që Shqipëria të përmbushë të gjitha kushtet e kërkuara, si gjyqësorin, reformën administrative, luftën kundër krimit të organizuar, drogës, të drejtën e pronës dhe mbrojtjen e minoritetit etnik grek”.
“Duhet të tejkalohet logjika e Hoxhës”, ka përfunduar Kotzias, sipas të cilit minoritar është vetëm ai që jeton në këtë zonë dhe popullsitë e mëdha, që janë shumicë në disa zona, të mos kenë të drejtat e pakicave.
Ndërkohë, edhe ish-kryeministri grek Antonis Samaras, në një intervistë për gazetën “Vradini”, duke bërë thirrje për një linjë kombëtare përsa u përket marrëdhënieve me fqinjët, ka kritikuar përveç Ankarasë, edhe Tiranën zyrtare.
“Është e vërtetë që Erdogani kërcënon, por ka filluar edhe kryeministri Rama të sfidojë”, shton ai, duke theksuar se “shqetësohet, pasi dobësimi i rolit të Greqisë ka trimëruar provokimin e fqinjëve shqetësues”. /Top Channel/