Mitsotakis falënderon Shqipërinë për ndihmën në luftën kundër zjarreve

Greqi

Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis ka falënderuar shtetin shqiptar për ndihmën e dhënë në përballimin e situatës nga zjarret.

“Falënderimet tona shkojnë për Shqipërinë, që dërgoi në Greqi 48 zjarrfikës dhe 9 automjete për t’u bashkuar me ne për të luftuar zjarret në Aleksandropoli. Faleminderit Shqipëri”, shkroi Mitostakis në një postim në Twitter.

Më shumë se 60 trupa të shërbimeve zjarrfikëse të Maliqit, Korçës, Gjirokastrës dhe Dropullit si dhe 10 mjete të forcave të armatosura dhe sistemit të mbrojtjes civile shqiptare janë nisur pasditen e së mërkurës në ndihmë Greqisë.

Vendi fqinj së fundmi po përballet në një situatë tejet të rënduar për shkak të zjarreve të shumtë.

Të gjitha këto forca kanë qenë në gatishmëri gjatë gjithë ditës së sotme, për të kaluar në anën tjetër të kufirit, por një përgjigje e Sistemit Europian të Mbrojtjes Civile thoshte se vendet e BE kishin plotësuar nevojën për trupat tokësorë, ndaj për këtë ka pasur një farë tërheqje të shërbimit zjarrfikës shqiptar.

Nga i njëjti sistem, disa orë më vonë ka ardhur një tjetër përgjigje, ku bëhet me dije se forcat tona do të kalojnë drejt Greqisë për t’iu bashkuar mjeteve zjarrfikëse dhe trupave këmbësorë që janë duke marrë pjesë në shuarjen e zjarreve në Greqi.