MONITOR : Të ardhurat nga emigrantët arrijnë rekord në tremujorin e parë!

Ekonomi

Në tre muajt e parë të vitit, të ardhurat nga emigrantë shënuan nivelin më të lartë të paktën që nga viti 2008, kur raporton të dhënat Banka e Shqipërisë.

Sipas shifrave të Bilancit të pagesave të Bankës, në tremujorin e parë emigrantët dërguan në shtëpi 214 milionë euro, me një rritje prej 16% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ky është nivel më i lartë edhe se viti 2008, kur cikli i parë i remitancave kishte arritur kulmin.

Pas atij viti, dërgesat filluan të binin vazhdimisht, duke reflektuar largimin gradual të emigrantëve nga vendi mëmë që zakonisht ndodh pas 15-20 viteve, teksa ata krijojnë familjet e tyre dhe i shkëpusin gradualisht lidhjet me vendin mëmë.

Por, që nga viti 2017, remitancat filluan sërish rritjen, në linjë me ciklin e ri të emigracionit (në vitin 2016 u shënua dhe një nivel rekord i kërkesave për azil në rreth 60 mijë).

Pas një reduktimi deri në 2020-n, i ndikuar dhe nga pandemia, 2022-shi shënoi një kulm të ri emigracioni, ku kërkesat për azil i kërkuan 30 mijë, pjesa më e madhe e të cilëve në Mbretërinë e Bashkuar.

Në kanalet e reja në vitet e fundit, krahas atyre tradicionale si Italia e Greqia ishin dhe Franca, Gjermania e Mbretëria e Bashkuar.

Gjithsesi, operatorët alternativë të tregut pohojnë se në kanalet zyrtare nuk është konstatuar një rritje e ndjeshme dhe tregu ka qenë stabël.

Vlerësohet se rritja mund të ketë ardhur edhe nga shtimi i burimeve informale. Këtë vit ka pasur një forcim të pazakontë të monedhës vendase, që sipas agjencive të këmbimit valutor ka ardhur jo vetëm nga turizmi, por edhe nga shtimi i burimeve informale të hyrjes së valutës.

Në fund të javës së kaluar, euro zbriti në një rekord të ri historik prej 105.62 lekësh. Tkurrja e euros tërhoqi dhe valutat e tjera, me dollarin që u këmbye me 98.56 lekë, niveli më i ulët në 12 vjet.

Rënia e euros në fakt zhvlerëson paratë që emigrantët dërgojnë në shtëpi, pasi me të njëjtën sasi valute familjet pritëse marrin më pak lekë.

Edhe emigrantët që vijnë me pushime duhet të shpenzojnë më shumë relativisht në valutë, për të kryer të njëjtat blerje si një vit më parë, për më tepër e shoqëruar me inflacionin e lartë./Monitor.al