Negociatat, pikat e diskutimit mes Ramës dhe Idrizit

Politika

Ka përfunduar takimi i mbajtur mes kryeministrit Edi Rama, dhe kreut të PDIU-së. Takimi i zgjatur rrethy një orë, ka pasur në fokus, situatën politike në vend si edhe zgjidhjen e saj. Ditën e djeshme Shpëtim Idrizi propozoi 7 pika të cilat sipas tij janë zgjidhja e kësaj situate. Kujtojmë se para dy ditësh Idrizi ka zhvilluar një takim me kreun e LSI-së, Ilir Metën ku ky i fundit vlerësoi dhe mbështeti këto 7 pika të propozuara nga kreu i PDIU-së.

Më parë gjatë ditës, Rama ka zhvilluar takime të rëndësishme.

7 pikat e propozuara nga Shpëtim Idrizi

Pikat e propozuara nga PDIU Në këtë moment të vështirë politik, duke parë që situata vazhdon të jetë në një ngërç prej më shumë se një muaji, si edhe duke parë pozicionimin e palëve larg njëri-tjetrit; Duke vlerësuar pozicionin e Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste, z.Edi Rama, në pozitat e fituesit legjitim të zgjedhjeve të 23 qershorit 2013; Duke vlerësuar pozicionin e Kryetarit të Parlamentit dhe Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, si parti përbërëse e koalicionit qeveritar; Duke vlerësuar pozicionin e Kryetarit të Partisë Demokratike, z.Lulzim Basha dhe kërkesën legjitime për nevojën e garancive të jashtëzakonshme për zgjedhjet e ardhshme të 18 qershorit; Si Kryetar i PDIU-së dhe me përgjegjshmërinë që më buron propozoj, një Pakt Kombëtar, i cili do të përfshijë zgjidhjen e çështjeve konkrete për përparimin e vendit në integrimin Europian, realizimin e reformës në drejtësi dhe rritjen e garancive për zgjedhje të lira, një draft ky rreth të cilit mund të debatojmë dhe mund ta pasurojmë bashkërisht: 1-Kthimin e Opozitës në Parlament për miratimin e akteve ligjore, që do i hapnin rrugën zbatimit të reformës në drejtësi, përparimit të vendit në integrimin evropian dhe realizimin e disa ndryshimeve në kuadër të legjislacionit zgjedhor dhe masave të tjera, për të siguruar atomsferë të qetë dhe të besueshme, për zgjedhjet e 18 qershorit. 2-Garantimin e rolit të paanshëm në zgjedhje të Policisë së Shtetit. 3-Ndryshimin e sistemit zgjedhor në sistem proporcional me një zonë zgjedhore, për krijimin e mundësive reale për të garuar forcat politike jashtë koalicioneve. 4-Depolitizimin e anëtarëve të KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve, ose rritjen e numrit të anëtarëve në komisionet e numërimit, me përfaqësues të partive parlamentare 5-Krijimin e një grupi të posaçëm me urdhër administrativ të Prokurorit të Përgjithshëm, krijimin e një “task force” prokurorësh të atashuar pranë KQZ-së, e cila ka për detyrë të hetojë në mënyrë urgjente të gjitha sinjalizimet për blerje vote, kërcënim, intimidim, etj. Gjithashtu edhe dërgimin e çështjeve të lidhura me cënimin e procesit zgjedhor brenda 24 orësh në gjykatë, duke ashpërsuar masat për “krimin elektoral”. 6-Ngarkimin e një strukture inxhinierike konsensuale që do të përgatisë në mënyrë urgjente një projekt teknik, për variantet e mundshme të realizimit të numërimit elektronik, apo edhe vlersimin e mundësive të realizimit të votimit elektronik, nëse ai konsiderohet i sigurtë dhe i mundshëm në kohë, në një procedurë të miratuar në mënyrë konsensuale nga të  gjitha partitë parlamentare. 7-Thirrjen e tryezës së partive politike parlamentare për fillimin e dialogut, me qëllim miratimin e një kandidature konsensuale si President të Republikës së Shqipërisë. Për arritjen e kësaj zgjidhje do të kërkoja dhe mirëprisja bashkpunimin e përfaqësive dipolmatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian, OSBE-së, dhe vendeve të tjera anëtare të BE-së. Kërkoj dhe mirëpres gjithashtu mbështetjen dhe kontributin e të gjitha partive parlamentare pjesë të mazhorancës, opozitës apo edhe ato që nuk bëjnë pjesë në grupimet politike të mazhorancës dhe opozitës./E.Sh/