Nishani-Ramës: I paburrë, i pashembullt, largo kriminelët

Kryesore

sjlllja ne focus-2Institucioni i Presidentit të Republikës ka reaguar pas deklaratave të bëra në sallën e Kuvendit nga kryeministri Edi Rama. Në një njoftim për median, Presidenca shkruan se “është i indinjuar nga sjellja e paprecedent e Kryeministrit aktual në Parlament, i cili duke keqpërdorur aulën e Kuvendit të Shqipërisë fyen dhe shpif ndaj Presidentit të Republikë”.

“Sjellje kaq ordinere nuk ka ndodhur kurrë më parë në sallën e Parlamentit shqiptar.

Të fyesh Kryetarin e Shtetit duke shfrytëzuar një vend ku Presidenti nuk është prezent është paburrëri e pashembullt.

Institucioni i Presidentit të Republikës i kërkon Kryeministrit aktual ta lerë më së fundi ‘shown’ dhe ekzibicionin dhe të fillojë menjëherë nga puna për të cilën është ngarkuar që tre vjet më parë.

Gjithashtu i kërkon Kryeministrit aktual të largojë urgjentisht nga administrata e shtetit individët e përfshirë në veprimtari kriminale.

Të krijojë mundësitë për punësim të qytetarëve të vendit, të cilët po vuajnë nga një situatë e rëndë ekonomike.

Të luftoje bandat e krimit të organizuar.

T’u ofrojë shërbimin shëndetësor publik qytetarëve që vuajnë çdo ditë nga nevoja për trajtim mjekësor.

Të luftojë korrupsionin e përmasave shqetësuese në dëm të pasurisë publike dhe private të qytetarëve shqiptarë.

Të mos bllokojë reformën e sistemit të drejtësisë, por të ofrojë kompromisin e nevojshëm për miratimin e saj.

Institucioni i Presidentit të Republikës beson vendosmërisht se, përtej pengesave provizore, Shqipëria do të ecë përpara drejt forcimit dhe begatimit”, thuhet në reagimin e Presidencës së Shqipërisë.