Një mijë euro bonus për këdo që largohet vullnetarisht! Kush mendon se kjo nismë e Norvegjisë për t’i shtyrë refugjatët të largohen tingëllon tepër e kushtueshme, e ka gabim.
“Në këtë mënyrë ne do të inkurajojmë më shumë njerëz që të kthehen mbrapsht, – shpjegoi ministrja e Emigracionit dhe Integrimit, Sylvi Listhaug, – dhe njëkohësisht do të kursejmë mjaft parà, pasi kostoja e mbajtjes së tyre në qendrat e pritjes është më e lartë sesa ajo çfarë shpenzohet për t’i nxitur të ikin prej këtej”, shtoi ajo.
Shpresat e autoriteteve norvegjeze janë që projekti të ketë sukses, e nëse ndodh kështu, atëherë ai do të mund të zgjerohet edhe më shumë. Oferta e hyrë në fuqi të hënën do të zgjasë për 6 javë.
Si fillim, fondet ekstra do t’i përfitojnë vetëm 500 azilkërkuesit e parë, ndërsa për aplikantët është kusht, që të kenë hyrë në Norvegji përpara datës 1 prill të këtij viti.
“Ka shumë njerëz këtu, të cilët nuk i përmbushin kriteret e azilit dhe e mira për ne është t’i inkurajojmë të largohen vet, sa më shpejt”, arsyeton Listhaug.
Një mijë eurot apo 10.000 koronat e bonusit do të paguhen mbi 20.000 koronat e ofruara tashmë emigrantëve që largohen vullnetarisht nga vendi, si pjesë e një pakete stimujsh financiarë të propozuar nga IOM-i vitin që shkoi.