Bledian Koka / Dita e djeshme për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk qe aspak një ditë e mirë. Kryetari grupit parlamentar CDU/CSU, z. Gunther Krichbaum tha se, bundestagu gjerman do të votojë kundër hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe përmëndi dhe 7 kushte mes tyre drogën dhe dekriminalizimin. Ajo që unë besoj fort është se ky vendim është një dorë e hekurt ndaj fatit të shqiptarëve, që mesa duket do të jenë të destinuar edhe për shumë kohë të jetojnë në veremin, që kanë gatuar me duart e veta duke votuar maskarenjt që na qeverisin sot.
Personalisht e quaj një dite të zezë atë që ndodhi dje, sepse në bindjen time absolute është më mirë që Europa të na pranojë sa më parë në gjirin e saj ashtu siç jemi, të korruptuar, argatë të korrjeve të hashashit për copën e bukës e për milionat plus për të keqjen që na qeveris, të pafuqishëm për të reaguar ndaj padrejtesive që na bëhen, me krimin në kontrollin e pushtetit, e me gjithë sundimin e oligarkëve si asnjëherë tjetër. Në këtë pikë vetëm duke na patur në gjirin e saj, Europa do të kuptojë se ne jemi në buzë të greminës si shoqëri, ndërsa qeveria aktuale na fton me arrogancë të bëjmë një hap përpara, duke votuar me pahirin e parave të drogës për të.
Vetëm duke na patur në gjirin e saj Europa do të mund të mos lejojë kriminelet të votojnë për veten e tyre në Parlament. Vetëm duke na patur në gjirin e tyre Europa do të kuptojë sa të sëmurë jemi çdo ditë për shkak se e kemi “Shëndetësinë Falas”, sa të përjashtuar jemi nga arsimi, sepse e kemi reformën e arsimit të lartë, një PPP-te të pashpallur e kështu me rradhë. Sepse vetëm duke na patur ne gjirin e saj, Europa ndoshta do ta kuptojë se për aq kohë sa na ka lënë tek dera, ne nuk mund te kemi kurre me shume dinjitet sesa lypesi qe per te mbijetuar do ti bënte të gjitha, edhe lypjen, edhe mashtruesin, edhe grabitesin, edhe të nëpërkëmburin, edhe gjynahqarin!…
p.s…Fundja ne këto jemi!…