“Nuk e kisha menduar zgjedhjen time pa opozitën në Parlament”

Kryesore Politika

Kryparlamentari rrëfen për herë të parë krizën politike dhe negociatat me ndërkombëtarë, çfarë pranoi Rama në negociata dhe pse u detyra që të bëhej kreu i ri shtetit Kreu i Kuvendit, njëherësh Presidenti i zgjedhur Ilir Meta ka deklaruar se të partitë duhet të angazhohen për të zgjidhur situatën e krizës në vend.

Në një intervistë në “Opinion” të Blendi Fevziut, Presidenti i zgjedhur u shpreh se nuk e imagjinon dot që vendi të shkojë në zgjedhje pa opozitën, duke shtuar se LSI­-ja ofroi disa alternativa për të ndryshuar situatën.

 E mbani mend takimin me Ramiz Alinë?

Po si se mbaj mend?! Është një gjë që ndodh një herë në 500 vjet. Dita e pluralizmit.

E dinit që ishte marrë vendimi për pluralizmi?

Jo, ne nuk e dinim adyshim që frikë kishim, por një garanci ishte që z. Gjinushi me z. Bashkurti ishim me ne. Ishin në autobus. Ishte si një lloj garancie. Frika ishte në një farë mënyrë, por kishim hyrë në atë rrugë. Ndërkohë që takimi mbaroi, u shpall pluralizmi politik. Po në atë mbrëmje në Qytetin Studenti, Arben Imami, lajmëroi krijimin e një partie të re. Ai nuk i dha as emrin, por që do të quhej Partia Demokratike, që u krijua po atë natë duke gdhirë e nesërmja.

Përse ju zgjodhët të mos angazhoheshit me PD si 99% e studentëve?

Nuk është se hyra në Lëvizjen Studentore se doja të merresha me politikë apo doja të merresha me parti…

Te PD tentuat ndonjëherë për t’u afruar?

Nuk pata asnjë lloj tentative, sepse nuk kisha asnjë lloj aspirate. Thashë edhe një herë, kisha dëshirë të mbaroja shkollën dhe pastaj të shkoja jashtë për studime.

Kur u bëtë me PS, kush ka qenë shtysa?

Kjo gjë ka ndodhur në fillim të dhjetorit të vitit 1991, sepse në 15 janar u bë takimi kombëtar i FRESSH­-it në Pallatin e Kongreseve që habiti të gjithë Shqipërinë se si mund të kishte kaq të rinj me PS. Sepse në selinë e PS në atë kohë hynin nga mosha 60 vjeç e lartë. Sepse ata që donin të bënin karrierë shkonin tek PD-­ja…

Kur e keni njohur për herë të parë Fatos Nanon dhe si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me të deri në vitin 1993?

Fatos Nanon nuk është se e kam takuar, por e kam ndeshur në takimet që bëheshin në fillim të shtatorit të vitit 1990 që vinin si të deleguar.

U zhgënjyet kur e njohët si kryetar partie?

Unë mendoj se Fatos Nano ka vlera dhe kontribute të padiskutueshme në politikën shqiptare. Edhe si kryetar partie ai ka pasur një rol të rëndësishëm në hapjen dhe demokratizimin e Partisë Socialiste.

Dhe ka sakrifikuar në një moment që Partia Socialiste të mbijetonte?

Patjetër që ka sakrifikuar. Ai, familja e tij, në mënyrë të padiskutueshme. Edhe më pas padyshim që ka meritat e tij të veçanta. Po të kishte menaxhuar pak më mirë atë aftësi të tij, sepse kishte shumë aftësi të mira.

Çfarë marrëdhëniesh keni me të tani?

Nuk është se kemi ndonjë raport.

Meqë sot Nano nuk është kaq aktiv në jetën politike si do ta vlerësoje si politikan? Ka mbetur akoma ajo mëria e përplasjeve tuaj në vitet 2004­-2005?

Nuk është çështje mërish. Sepse po të jetë për mëri unë me Edi Ramën nuk do të kishim bërë kurrë koalicion. Raportet mia me Nanon nuk kanë qenë kaq dramatike le të themi. Natyrisht kanë qenë marrëdhënie jo të lehta, por unë mendoj se kanë qenë marrëdhënie që kanë pasur vlerën e tyre edhe për Partinë Socialiste.

E para, si do të shkojë dhe a mendoni ju që do të ketë zgjedhje pa Partinë Demokratike në vend?

Asnjëherë nuk më ka shkuar në mendje kjo gjë dhe çdo ditë kam punuar dhe do të punoj dhe do të përpiqem, nuk e di ç’mund të bej që kjo gjë të mos ndodhë. Ju e dini, qëndrimet e mia kanë qenë mjaft të forta, që nga ideja e qeverisë së besimit, që nga ideja që LSI është gati të lerë postin e Kryetarit të Kuvendit, që nga pozicionet e ministrave të LSI­së që ne i dorëzojmë për një zgjidhje politike, dhe shumë mesazhe të tjera: që nga thirrja e Partisë Popullore Evropiane ku është anëtare Partia Demokratike për të ndihmuar në këtë dialog. Ky dialog nuk ndodhi. Unë thashë qeveri besimi, por nuk ndodhi as dialogu asgjë tjetër. Edhe sot nuk kemi një dialog, kemi një komunikim me palë të treta. Padyshim që Partia Demokratike duhet të marrë pjesë në zgjedhje, opozita duhet të marrë pjesë në zgjedhje, por edhe duhet luftuar për standardet e zgjedhjeve. Unë nuk po them që kjo mazhorancë synon të bëjë zgjedhje ideale…

Afatet po digjen z. Meta…

Jam shumë dakord. Por duhet të bëjë çdo përpjekje dhe vetë opozita për të hyrë në këtë proces, për të marrë disa garanci të rëndësishme, por edhe për të luftuar për disa të drejta të rëndësishme. Unë kam një pyetje për ju: Në rast se LSI në vitin 2008, kur u bë Kodi nga dy partitë e mëdha brenda 24­-orëshit ­ u bë vetëm për të eliminuar LSI-­në, jo thjesht LSI­-në si LSI, por një force të re që ndryshe nga të tjerat mund të vazhdonte procesin e rritjes dhe ta ndryshonte situatën politike në vend­ në qoftë se LSI, pasi bëri grevën e urisë e pasi bëri çdo gjë do të kishte bojkotuar, çfarë do të kishte ndodhur? Do të ishte shuar si forcë politike.

Ecim në situatën konkrete. PD mund të jetë në të drejtën e saj dhe unë i kam dhënë të drejtë të hapur për dekriminalizimin, për blerjen e votës, për kanabizimin, për çdo gjë, por, edhe do të hysh në një proces, edhe do të luftosh. Nëse ke mendimin që komisionerët e tu të gjithë shiten, sepse i blen tjetri, nëse ke mendimin se ti nuk dokumenton dot asnjë parregullsi…

Meta, nëse zgjedhjet do të zhvillohen në 18 qershor, megjithëse z. Basha ka thënë që nuk do të zhvillohen zgjedhje, në shtator ju do të jeni president i një vendi që do të shkoni në parlament, ku minimalisht një e treta e popullsisë së vendit nuk është paraqitur në votime dhe ku salla është plotësisht njëngjyrëshe.

Nuk e dëshiroj këtë gjë.

A do ishte shumë mbrapa për vendin pas 27-vjetësh?

Patjetër që është shumë mbrapa, nuk e dëshiroj këtë gjë. Një nga arsyet që unë e pranova në rrethanat që u krijuan postin e Presidentit, sepse kjo nuk ka qenë, pavarësisht se çfarë është thënë dhe çfarë thuhet, ky nuk ka qenë as plani im dhe as projekti i LSI-së.

Ka qenë pjesë e marrëveshjes me Ramën thuhet…

E para, marrëveshja është që PS dhe LSI do ta zgjidhnin presidentin me konsensus, qe kur është bërë marrëveshja në Shkodër dhe kjo natyrisht që nënkuptonte që Presidenti do të ishte dikush nga njëra ose nga tjera. Normalisht nga LSI ose me konsensusin e LSI. Por PS nuk i kishte 71 mandate, sepse po ti kishte 71 mandate, kishte gjithë legjitimitetin që të thoshte edhe Presidenti edhe Kryeministri më takon mua, etj. Dhe gjithmonë PS ka qenë e hapur që këtë post ta marri LSI dhe Ilir Meta. Ne nuk kemi qenë dakord për variantin e fundit sepse qëllimi im ka qenë për të drejtuar këtë fushatë të LSI.

Kështu më jeni përgjigjur edhe para një viti që unë do të jem në fushatë, si Kryetar i LSI?

Vijmë në një situatë të tillë sepse është hera e parë që momenti i zgjedhjes së Presidentit përkon me zgjedhjet e përgjithshme. Dhe është një moment shumë delikat. Dhe për herë jemi në një situatë ku opozita vë disa kushte ose përndryshe unë nuk hynë në zgjedhje. Dhe ndodhin dy procese në të njëjtën kohë. Procedurat kushtetuese janë të pashmangshme për të filluar dhe filluam me djegien e raundeve. Dhe në këto kushte unë kam insistuar që në fillim, që Presidentin ta ofrojmë si një mundësi për të qenë pjesë e një pakete bashkë me zgjedhjet. Pra, për t’i dhënë një lloj mirëbesimi opozitës. Dhe ky ka qenë insistimi im kryesor, si kryetar i LSI me idenë që Presidentin ta marri opozita, s’ka asnjë problem. Le të paraqesin dy­tre kandidatura. Kush është kandidatura më e pranueshme edhe për Partinë Socialiste, mund të jetë President i vendit dhe kjo të jepet në mënyrë të tillë që të rrisë besimin përveç elementëve të tjerë.

Nuk ishte dakord Partia Socialiste?

Sigurisht, që PS nuk ishte dakord me këtë. PS ishte që ta zgjedhim bashkë. Na takon ne, siç është e vërteta. Dhe LSI dhe këtë pozicion do ta marrësh ti normalisht.

Dhe ju e pranuat?

Jo, unë thashë ky pozicion do të vendoset pjesë e paketës me opozitën. Për një, dy, tre, katër arsye. Plus që unë nuk kisha asnjë dëshirë. As tani sepse ishim përgatitur për zgjedhjet e 18 qershorit, por as në një të ardhme që të zgjidhesha në një parlament, ku nuk është opozita. Nuk e kam pasur asnjëherë këtë dëshirë. Kështu që vijmë në këtë situatë, ku bëj çdo përpjekje, i bëj kërkesë zyrtare PPE, ku vijnë përfaqësuesit e PPE, ku dorëzohet një projekt për të dy palët. Pranohet, ku më pas falë insistimit tim, në mënyrë të veçantë, pothuajse u pranua shtyrja e zgjedhjeve me një muaj. Pranohet që të përzgjidhet në mënyrë konsensuale katër ministra në katër ministri, që opozita mendon që mund të ndërhyhet. Edhe shumë element të tjerë. Të jepet Kryetari KQZ. Të jepet e drejta për të propozuar Avokatin e Popullit, siç ja dha dhe PD.

Pse jo me një qeveri teknike, me një Kryeministër të propozuar nga maxhoranca, të aprovuar në opozitë?

Të fushën vendin në një shkatërrim për 45 ditë? Ky nuk është një moment që mund ta zgjidh unë. Ky është një moment, i cili kërkon edhe një racionalistet politik nga të gjithë. Që do të thotë, në qoftë se z. Rama jepte këtë zgjidhje, patjetër unë do ta duartrokisja fort. Por në momentin që situata kthehet edhe nga opozita në diçka personale edhe unë e kam të vështirë, po flasim në pozicionin e mëparshëm, si Kryetar i LSI, që të imponojë diçka që normalisht nuk është se është legjitime. Se ose duhet të bësh votat për të shkarkuar Kryeministrin dhe pastaj mund mos hyj ai në zgjedhje, ose do dalësh të bashkosh njerëzit për të protestuar përsëri, gjë që nuk i shërben stabilitetit të vendit. Dhe të vijmë tek Presidenti. Në rast se ne nuk do të kishim bërë këtë zgjidhje ditën e premte, situata mund të ishte e tillë që ose PS do detyrohet të vendoste një President që mendonte ajo. /Shekulli/