OKB: 38 persona në ditë emigrojnë në 2019 nga Shqipëria

Aktualitet

OKB: 38 persona në ditë emigruan (neto) në vitin 2019

Në një ditë, nga vendi largohen 38 emigrantë më shumë se sa ata që kthehen, sipas të dhënave të fundit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Mesatarisht, sipas këtyre të dhënave, emigracioni neto në një muaj është 1140 persona që largohen.
Nga 1 janari deri më 4 tetor 2019, popullsia e vendit tonë është pakësuar me 2500 persona sipas projeksioneve të zyrës së Kombeve të Bashkuara “World Population Review”.Pakësimi i popullsisë po vjen kryesisht për shkak të emigracionit të lartë, ndërsa vendi mësohet të ketë pasur shtesë natyrore pozitive këtë vit.
Sipas zyrës së Kombeve të Bashkuara, gjatë vitit 2019, në Shqipëri kanë lindur 92 foshnja në ditë, ndërkohë kanë vdekur 63 persona në ditë.Numri i vdekjeve dhe emigracioni neto kalon numrin e lindjeve, duke bërë që popullsia e vendit të ketë një rënie në terma të përgjithshëm. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria u pakësua me 9 persona në ditë gjatë vitit 2019. (lindje-vdekje-emigracion neto)

Popullsia e Shqipërisë po zvogëlohet për dy arsye kryesore – emigracioni neto ende në nivele të larta dhe numri i ulët e lindjeve. Gratë në Shqipëri lindin më pak se mesatarja 1.7 fëmijë për grua, teksa pritet shumë shpejt që numri i vdekjeve të kapërcejë numrin e lindjeve duke e çuar vendin në një shtesë natyrore negative.

Shkalla e lindjeve ka rënë në mënyrë të qëndrueshme në dekadën e fundit, teksa qeveria shqiptare, duke filluar nga viti 2020, qeveria do të fillojë të ofrojë stimuj financiarë për prindërit në mënyrë që të rritet numri i foshnjave të lindura, thuhet në analizën e OKB-së.
Ritmi i rritjes natyrore të popullsisë në Shqipëri pritet të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. Sipas OKB-së, norma do të bëhet negative rreth vitit 2027.Ora e popullsisë së Shqipërisë tregon se për çdo 16 minuta, lind një fëmijë, në çdo 23 minuta vdes një person dhe vendi pakësohet me një person në çdo 38 minuta, për shkak të emigracionit. Në total, popullsia e vendit pakësohet me një person në çdo 160 minuta.
Në të tjera të dhëna, OKB ka bërë parashikime të frikshme, sipas të cilave në skenarin pesimist, brenda 100 viteve, Shqipëria do të ketë më pak sesa 1 milion banorë. Varianti pesimist parashikon që në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë vetëm 860 mijë banorë.

Ndërsa skenari normal parashikon që Shqipëria të popullohet me vetëm 1 milionë e 600 mijë banorë. Skenari optimist që parashikon emigracion zero dhe ecuri normale të normave të fertilitetit parashikon që popullsia e vendit deri në vitin 2100 të jetë 2 milionë e 800 mijë banorë, nga rreth 2,9 milionë që numërohen afërsisht aktualisht.